30 Korrik, 2025 - 8:31 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot aktin e shkëputjes 74 vjet më parë të Kishës Katolike Shqiptare nga Vatikani.
Mes komuniteteve fetare në Shqipëri, ishte Kisha Katolike ajo që refuzonte të paraqiste një statut, që prej vitit 1929, për të shmangur shkëputjen nga Selia e Shenjtë e Vatikanit, si dhe nënshtrimin ndaj kontrollit të regjimit komunist të instaluar në vitin 1945. Pas një negocimi me tone të tendosura mes udhëheqjes komuniste dhe përfaqësuesve fetarë, më 30 korrik 1951, Kisha Katolike u shkëput nga Vatikani.
Në ditët që pasuan, gazeta e përditshme “Zëri i Popullit”, njoftonte për konstituimin e një kishe kombëtare, duke shigjetuar Vatikanin si një qendër spiunazhi dhe diversioni, që punonte në dëm të vendit.
Miratimi i statutit ishte rezultat i konsultimeve disamujore mes qeverisë së përfaqësuar nga Mehmet Shehu dhe komunitetit katolik të prirë nga At Bernardin Shllaku. Një prej pikave më nevralgjike të negociatave ishte emërimi i ipeshkvinjve të bërë deri asokohe prej Selisë së Shenjtë.
Meqenëse propozimi për miratimin e emërimit të tyre nga qeveria, u hodh poshtë, përplasja ndaj Kishës Katolike përshkallëzoi me akuza për bashkëpunim me fashizmin. Në këto kushte At Shllaku u detyrua të nënshkruante statutin.
Ky statut kufizonte autonominë organizuese të kishës dhe ia kalonte kompetencat e papës, një organi të ri, Arqipeshkvisë me seli në Shkodër./atsh/ KultPlus.com