Steve Jobs, ai që shndërroi kurajon dhe krijimin në erë të re besimi te zotërimi i dritës

5 Tetor, 2022 - 11:04 am

Secili nga ne mban në duar pak nga të gjallët e tij të derdhur në themelet e përjetësisë. Gjithçka e jona që na lidh me teknologjinë e komunikimit, me qasjen e ethshme të sundimit të botës përmes forcës së dritës, është çfarë mbetet mirënjohje për atë forcë të kijametshme pasioni dhe përkushtimi, për Steve Jobs. Ashtu si edhe gjenitë e tjerë, ai erdhi në jetë me një mision, përmbushja e të cilit e shpërfaq para syve dhe ëndjes tonë si vullnet shpërblyes.

Steve Jobs ndërtoi një prej perandorive më të fuqishme të teknologjisë, duke u shndërruar në një ikonë të kurajës dhe sipërmarrjes. “Apple” nuk mund të kuptohet pa Steve Jobs dhe Steve Jobs nuk mund të identifikohet pa “Apple”. Ata janë sinonim i njëri-tjetrit dhe e sotmja është afeksion i kësaj realeje që dhuron përtej imagjinatives. Kafshimi i mollës së kafshuar të Steve Jobs është një kafshim pasioni.

Steve Jobs, babai i iPhone, iPod, iPad dhe bashkëthemeluesi i Apple Inc, humbi betejën e tij të gjatë kundër një forme të rrallë e kancerit në pankreas dhe ndërroi jetë më 5 tetor 2011 në moshën 56-vjeçare. Steve Jobs, i cilësuar si Leonardo Da Vinci i kohëve moderne do të mbahet mend në fushën e teknologjisë së komunikimit për risitë që solli, veçanërisht me iPhone dhe iPad, dy krijesa që shumë shpejt pushtuan tregjet botërore. Pra se të shuhej, në shtratin e vdekjes ai la fjalët e të fundit si testament për gjeneratën:

“Arrita majat e suksesit në botën e biznesit. Në sytë e të tjerëve jeta ime ishte mishërim i suksesit. Sidoqoftë, përpos punës, unë kam pak gëzime. Në fund, pasuria është vetëm një fakt i jetës me të cilin unë jam mësuar.

Në këtë moment, i shtrirë në shtrat i sëmurë, ndërsa reflektoj për jetën time, kuptoj se e gjithë fama dhe pasuria që i kushtova kaq shumë kohë, janë zbehur dhe duken të pakuptimta përballë vdekjes së afërt. Në errësirë, shoh dritat jeshile që vijnë nga pajisjet dhe dëgjoj zërat e aparaturave, mund ta ndjej frymën e zotit të vdekjes që afrohet. Tani e di, kur kemi siguruar mjaftueshëm pasuri sa për të shtyrë gjithë jetën, duhet të merremi me të tjera çështje, që nuk lidhen me pasurinë. Duhet të merremi me diçka më të rëndësishme. Mbase me marrëdhëniet me njerëzit, mbase me art, mbase me ëndrrat për ditët e rinisë.

Ndjekja non-stop e pasurisë, do t’ju shndërrojë në një qenie të ndrydhur, ashtu si mua. Zoti na dha shqisat për të ndjerë dashurinë në zemrat e njerëzve, jo për të ndjerë iluzionet që sjell pasuria. Pasurinë që kam fituar gjatë jetës time, nuk mund ta marr me vete. Çfarë mund të marr janë vetëm kujtimet e dashurisë. Ajo është pasuria e vërtetë që do t’ju ndjekë, do t’ju shoqërojë dhe do t’ju japë forcë e ndriçim për të vazhduar. Dashuria mund të udhëtojë mijëra kilometra. Jeta nuk ka limit. Shko ku të duash. Arrij lartësitë që do të arrish. Është e gjitha në zemrat dhe duart tuaja. Cili është shtrati më i shtrenjtë në botë? – “Shtrati i vdekjes”… Mund të punësosh dikë të ngasë makinën për ty, të fitojë para për ty, por s’mund të punësosh dikë që të përballojë sëmundjen tënde, për ty. Të mirat materiale mund të gjenden sërish edhe pasi kanë humbur, por ekziston diçka që nuk mund ta gjesh kurrë pasi e ke humbur – “Jeta”.

Kur një njeri shkon në sallën e operacionit, do të kuptojë se ekziston një libër që duhet të përfundojë së lexuari – “Libri i jetës së shëndetshme”. Në çfarëdo faze të jetës që mund të jemi tani, herët ose vonë do të përballemi me momentin final të “mbylljes së perdeve”. Ruaj si gjënë më të çmuar dashurinë për familjen, dashurinë për bashkëshortin/en, dashurinë për miqtë… Kujdesu për veten. Vlerësoji të tjerët.”

… Dhe… ai u shua, iku doke lënë pas shembullin më të përsosur të forcës së pasionit, të besimit të themeltë tek ëndrra, ajo ëndërr që u shndërrua në një nga gjeneratorët e fuqishëm të prodhimit të energjisë së teknologjisë. Ai, Steve Jobs, jetoi dhe vdiq si një rast i veçuar i asaj bote, së cilës ai i la peng shpirtin e tij krijues, atë eter transformimesh të mëdha. Kujtesa për këtë gjeni të pashoq të modernitetit, është më e larta përulje mirënjoheje që i kemi ne një revolucionari të kurajos dhe besimit. Ai ishte njeri si ne, por zgjodhi të bënte atë vepër që meriton një vend të privilegjuar. Steve Jobs iku për të mbetur te secili nga ne, iPhone, iPod, iPad, iku dhe la një urë komunikimi, gjurmë drite. / Albert Vataj / KultPlus.com

Të ngjajshme