Sting planifikon ta shesë katalogun e tij të këngëve

18 Nëntor, 2021 - 9:30 pm

Thuhet se Sting është në bisedime të avancuara për të shitur katalogun e tij të gjerë të këngëve për një shumë të majme prej 210 milionë funtesh (rreth 250 milionë dollarë apo rreth 249 milionë euro).

Sipas Variety, marrëveshja thuhet se është ‘zvarritur për disa muaj’, me kompaninë Universal Music Publishing aktualisht në krye, shkruan DailyMail.

Variety thekson se megjithëse Universal është duke udhëhequr tarifën, katalogu i këngëtarit Sting mund të mbetet në Sony Music Publishing, ku ndodhet aktualisht.

Ndërsa një burim thuhet të ketë thënë për Variety-n se “një pjesë e të drejtave të muzikës së regjistruar për materialin solo të Stingut përfshihet në marrëveshje”, megjithëse ata nuk ishin në gjendje të sqaronin në atë kohë.

DailyMail ka kontaktuar përfaqësuesit e Stingut, Universal Music Publishing dhe Sony Music për të marrë komente, por ata nuk janë përgjigjur.

Muzikanti, 70 vjeç – emri i vërtetë i të cilit është Gordon Sumner – ka pasur një karrierë të shkëlqyer që përfshin 50 vite në skenë dhe krenohet me një katalog mbresëlënës me hite, duke përfshirë: “Roxanne”, “Every Breath You Take” dhe “Shape Of My Heart”.

Sting është një nga artistët më të suksesshëm në botë, me mbi 100 milionë albume të shitura në mbarë botën, ndërsa ai ka fituar 17 çmime ‘Grammy’ si dhe një çmim ‘Ivor Novello’.

Në vitin 2003, ai u përfshi në Rock and Roll Hall of Fame, ndërsa ai ka lansuar pesë albume gjatë karrierës dhe disa mini-albume (EP).

Marrëveshja e supozuar me Stingun vjen shtatë muaj pasi Paul Simon shiti të gjithë koleksionin e tij muzikor në një marrëveshje me Sony Music Publishing.

Vlera e marrëveshjes është e pazbuluar, nga Simon ka thënë se ishte ‘i kënaqur’ që kishte Sony-n si ‘kujdestar të këngëve të tij për dekadat e ardhshme’.

Ai shtoi: “Kam filluar karrierën time në Columbia/Sony Records dhe ndihem si një zgjatje e natyrshme të punoj edhe me anën e Publishing”.

Katalogu i yllit përfshin një bollëk hitesh dhe këngësh solo nga partneriteti i tij me Art Garfunkel duke përfshirë: “The Sound Of Silence”, “The Boxer”, “Mrs Robinson”, “You Can Call Me Al” dhe “Me And Julio Doën By The Schoolyard”.

Paul iu bashkua një liste të gjatë artistësh muzikorë që ua kanë dorëzuar të drejtat e tyre kompanive diskografike.

Neil Young shiti 50 për qind të katalogut për rreth 150 milionë dollarë (109 milionë funte) në janar të këtij viti.

Ndërsa Bob Dylan fitoi pothuajse 400 milion dollarë (290 milion apo 344 milionë euro) pasi shiti këngët e tij në Universal Music.

Ndërkohë Stevie Nicks, Debbie Harry dhe Shakira janë ndër emrat e tjerë të mëdhenj që do të shkëmbejnë kataloget e tyre të ardhshme për shuma të mëdha parash./KultPlus.com

Të ngjajshme