12 Gusht, 2025 - 4:45 pm
Një lajm i madh për sportistët dhe adhuruesit e futbollit në Suharekë: shumë shpejt do të nisë ndërtimi i stadiumit të ri të qytetit, një projekt madhor me vlerë mbi 10 milionë euro, i cili synon të transformojë infrastrukturën sportive të komunës.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se kontrata me operatorin ekonomik është nënshkruar dhe se projekti do të realizohet sipas standardeve më të larta të UEFA-s. Stadiumi do të ketë një kapacitet prej 6,518 ulësesh të rehatshme, tribuna moderne, fushë me cilësi të lartë, ndriçim profesional për ndeshjet në mbrëmje dhe hapësira të dedikuara për sportistët, ekipet dhe mediat,njofton KultPlus.
Ky investim do të ofrojë kushte ideale për zhvillimin e ndeshjeve të nivelit të lartë dhe do të shërbejë si një qendër e re e aktiviteteve sportive dhe kulturore në qytet. Përveç ndeshjeve të futbollit, pritet që stadiumi të mirëpresë edhe koncerte, evente komunitare dhe aktivitete ndërkombëtare, duke e kthyer Suharekën në një destinacion të rëndësishëm për ngjarje të mëdha.
Punimet pritet të fillojnë së shpejti, ndërsa entuziazmi në mesin e sportdashësve është i madh. Ky projekt do të jetë jo vetëm një arenë sportive, por edhe një simbol i bashkimit të qytetit rreth pasionit për lojën më të dashur në botë,futbollin./KultPlus.com