22 Korrik, 2025 - 9:50 am
Nga 1 deri më 3 gusht, në një kodër të gjelbër pranë Prishtinës zhvillohet edicioni i gjashtë i Sunny Hill Festival, një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore në Evropë që shkon përtej thjesht argëtimit, duke u kthyer në një lëvizje sociale me ndikim të jashtëzakonshëm për Kosovën.
Në qendër të këtij edicioni qëndron rikthimi i Dua Lipës, ylli më i ndritur i Kosovës, e cila performon në vendin e saj si pjesë e “Radical Optimism Tour”, turneu më i suksesshëm i vitit me të ardhura që tejkalojnë 110 milionë dollarë. Kjo është shfaqja e saj e vetme në festivale në Evropë këtë sezon, duke rritur ndjeshëm prestigjin dhe ndikimin e Sunny Hill,raportojnë mediat e huaja, transmeton KultPlus.
Festivali nisi në vitin 2018 me një mision të veçantë: të vendosë Kosovën në hartat digjitale globale, pasi shumë platforma të mëdha për hartografi e kishin shpërfillur ose gabuar shfaqjen e shtetit të ri. Që atëherë, Sunny Hill është bërë një platformë e fuqishme për kauza humanitare dhe sociale, duke financuar ndërtimin e shkollave dhe ndihma për komunitetet e prekura nga fatkeqësitë.
Në vitet e fundit, festivali u kthye edhe në një zë për lëvizjen “Visa Free Kosovo”, duke ndihmuar në heqjen e vizave për qytetarët kosovarë drejt zonës Schengen në fillim të vitit 2024.
Me një park të dedikuar të ndërtuar në fshatin Bernicë dhe një kapacitet prej mbi 100,000 vizitorësh, Sunny Hill Festival sot është krahasuar me ngjarje të mëdha botërore si Coachella, jo vetëm për madhësinë, por edhe për ndikimin ekonomik dhe kulturor në rajon.
Sipas organizatorëve, festivali sjell në Prishtinë rreth 50 milionë euro të ardhura shtesë çdo vit, përmes turizmit dhe shpenzimeve të vizitorëve ndërkombëtarë, duke e kthyer kryeqytetin në një destinacion modern dhe dinamik europian.
Sunny Hill është më shumë se një festival muzikor është një motor i shpresës, zhvillimit dhe afirmimit të Kosovës në skenën botërore./KultPlus.com