Syri i Kaltër, destinacioni i 93 000 vizitorëve që nga janari

29 Gusht, 2022 - 10:38 am

Pas përfundimit të infrastrukturës së re rrugore dhe krijimit të mjediseve më të përshtatshme për frekuentuesit e parkut natyror të Syrit të Kaltër, numri i vizitorëve për vitin 2022, ka ardhur çdo muaj duke u rritur duke arritur në 93 000 që nga janari.

Kjo shifër u bë e ditur për ATSH-në nga burime zyrtare të Administratës së Zonave të mbrojtura AdZM të qarkut Vlorë.

Sipas Gjergji Mano, menaxher i AdMZ,  biletaria elektronike nisi të funksionojë më 1 gusht 2022 dhe numri i turistëve vendas e të huaj që po e frekuentojnë parkun natyror të Syrit të Kaltër është i lartë.

“Nëse në qershor numri i turistëve arriti 3922 në korrik, ai pësoi rritje më 18 129, ndërsa më 21 gusht , numri i vizitorëve të Syrit të Kaltër arriti në 70.000”, tha Mano.

I pyetur për parkimin e automjeteve që i drejtohen këtij parku, Mano vuri në dukje se “ky parking po përfundon në fushën pranë digës së Liqenit të Syrit të Kaltër dhe ka një kapacitet deri në 300 automjete”.

Mësohet se treni ekologjik, i cili do të mundësojë lëvizjen e turistëve nga zona e hyrjes deri në afërsi të monumentit të rrallë gjeonatyror të Syrit të Kaltër pritet të realizohet pas muajit shtator.

Parku Natyror “Syri i kaltër” vazhdon të jetë një nga destinacionet më të preferuara edhe për këtë vit, ku një numër gjithnjë e më i lartë vizitorësh kanë aksesuar këtë park.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka në kuadrin e masterplanit të ri shtigjet brenda hapësirës së parkut natyror “Syri i Kaltër”, sinjalistikën e munguar prej shume vitesh dhe disa pika vëzhgimi për turistët e interesit të veçantë.

Ndërkohë rritje e panjohur më parë është shënuar edhe në drejtim të të ardhurave që sigurohen nga frekuentuesit e këtij parku.

“Nëse gjatë muajit qershor, të ardhurat arritën në 2 milionë lekë, në korrik u rritën me 11, ndërsa deri më 23 gusht arritën në 31 milionë lekë”, tha Mano për ATSH-në.

Syri i Kaltër i konsideruar si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror gjendet pranë fshatit Muzinë, pranë Rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore.

Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.

“Syri i Kaltër” tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme