11 Gusht, 2025 - 2:04 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel. Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, me fokus të veçantë tek procesi i konstitutimit të parlamentit.
Presidentja Osmani vuri theksin te forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimi ekonomik, si dhe fuqizimi i pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ajo konfirmoi gatishmërinë për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e Kancelarit Merz dhe vlerësoi rolin jetik të Gjermanisë në mbrojtjen e vlerave demokratike, unitetit transatlantik dhe sigurisë evropiane, transmeton KultPlus.
Osmani nënvizoi se Gjermania mbetet shtyllë strategjike për Kosovën në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit. Ajo kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës, duke përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe përforcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Presidentja theksoi nevojën për qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva konkrete, duke insistuar se normalizimi duhet të nënkuptojë njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial të Kosovës.
Gjithashtu, Osmani foli për rëndësinë e largimit të masave të padrejta dhe rolin e mundshëm të Gjermanisë në këtë drejtim.
Në përfundim të takimit u diskutua edhe për mënyrat konkrete të bashkëpunimit bilateral, duke theksuar se takime të tilla dhe vizita të nivelit të lartë kontribuojnë në realizimin e objektivave të përbashkëta për paqe dhe stabilitet në rajon./KultPlus