Takim për “Historinë e shqiptarëve” në Akademinë e Shkencave

8 Maj, 2024 - 12:50 pm

Në Kryesinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është zhvilluar takimi i redaksisë së “Historisë së shqiptarëve”.

Ky takim u zhvillua nën drejtimin e akad. Skënder Gjinushit, në kuadër të raportimeve periodike për gjendjen aktuale të projektit “Historia e shqiptarëve”, i parashikuar për t’u përmbyllur si punë shkencore brenda vitit 2024.

Në takim morën pjesë drejtuesit e redaksive të periudhave të mëdha historike: profesor Neritan Ceka (lashtësia); akademik Pëllumb Xhufi (Mesjeta), profesor Ferit Duka (periudha nga fundi i Mesjetës deri në shek. XX) dhe profesor Paskal Milo (historia bashkëkohore).

Drejtuesit e redaksive njoftuan se dy vëllimet e para të “Historisë së shqiptarëve” do të dorëzohen për botim në gjendje të përfunduar deri në fund të muajit dhjetor 2024 dhe do të jenë të gatshëm për botim gjatë vitit 2025. Vëllimi i tretë gjithashtu do të jetë i përfunduar si punë hartuese deri në fund të këtij viti, por dorëzimi për shtyp është parashikuar për mesin e vitit 2025. Gjatë atij viti do të ketë përfunduar (duke përfshirë redaktimin shkencor, gjuhësor, letrar e teknik) edhe vëllimi i katërt, që i përket periudhës bashkëkohore.

Gjatë këtij takimi, përveçse për kalendarin, u diskutua edhe për njësimin e shkrimit akademik në të katër vëllimet dhe kalimin e natyrshëm nga njëra periudhë në tjetrën dhe nga një vëllim në tjetrin, etj.

Akad. Gjinushi theksoi se është e rëndësishme që vepra, pavarësisht pranisë së shumë autorëve dhe stileve, duhet të ketë strukturë e formë si një e tërë dhe të mos lejohen momente të pambuluara./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme