Takimi i Komisionit për Evropën të OBT-së në Tiranë, Rama: Ngre në një tjetër nivel promovimin e Shqipërisë

8 Prill, 2024 - 9:02 am

Shqipëria po mikpret për herë të parë Takimin e 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për fushën e turizmit, por edhe si një  organizim i nivelit të lartë të UNËTO që mbahet për herë të parë në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale videon promovuese të këtij evenimenti.

“Me entuziazmin e ndjesinë e Shqipërisë Turistike ku me të njëjtën energji i japim mirëseardhjen delegacioneve të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit që do ta kthejë Tiranën në një pol dinamik të eventeve dhe ngre në një tjetër nivel promovimin e Shqipërisë”, shprehet Rama.

Pasditen e së dielës u zhvillua pritja e mbërritjes së delegacioneve të UNËTO përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate Zurab Pololikashvili, Drejtoresha Ekzekutive e UN Tourism Natalia Bayona si dhe ministra të Turizmit e përfaqësues të lartë të këtij sektori nga 40 vende të Europës.

Sipas agjendës së bërë publike nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ditën e hënë më 8 prill do të mbahet mbledhja të 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO, ku do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Më date 9 prill, do të mbahet edhe një Konferencë për Investimet në turizëm me tre panele diskutimi, gjatë së cilës do të prezantohet përmes një ceremonie zyrtare udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania.” Ky botim vjen si një punë e përbashkët e Organizatës  Botërore të Turizmit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit së Shqipërisë që do t’u prezantohet aktorëve dhe palëve të interesuara të industrisë së turizmit.

Një ditë më parë ministrja Kumbaro bëri publike shifrat e vizitorëve të huaj për muajin mars, duke nënvizuar se ky muaj shënoi një rekord të ri në flukset hyrëse prej 1.7 milionë turistësh të huaj./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme