17 Korrik, 2025 - 9:24 am
Më 17 korrik të vitit 1958 u dha premiera e realizimit të parë filmik plotësisht shqiptar, “Tana”.
Ky film, që mbante logon “Shqipëria Film”, u realizua nën regjinë e Kristaq Dhamos dhe me skenar të novelistit Fatmir Gjata. Filmi “Tana” është filmi i parë i mirëfilltë i kinematografisë shqiptare, xhiruar me autorë e aktorë shqiptarë.
Për ndërtimin e skenarit punuan shkrimtarët Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi, në bashkëpunim me kineastin Kristaq Dhamo. Në film trajtohet një nga problemet më të mprehta të shoqërisë shqiptare për kohën, siç ishte kolektivizimi në fshat, por edhe ndryshimet që po ndodhnin mbi disa aspekte të jetës së shoqërisë shqiptare.
Në role kryesore luanin Tinka Kurti (Tana), Naim Frashëri (Stefani), Kadri Roshi (Lefteri) dhe Andon Pano (kryetari i kooperativës). Subjekti që u jep fill ngjarjeve, merr shkas nga jeta shoqërore në fshat, ku mentaliteti i prapambetur rrezikon të cënojë dashurinë e dy të rinjve.
“Tana” do të kujtohet jo vetëm si produkti i parë i kinematografisë shqiptare, por edhe për skenën e shumëpërfolur të puthjes mes një çifti aktorësh.
Muzika e filmit u kompozua nga Çesk Zadeja dhe mbetet një prej filmave që ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e kinematografisë shqiptare./atsh/KultPlus.com