12 Maj, 2025 - 5:00 pm
Vendimi i Donald Trump për të vendosur një tarifë për filmat e prodhuar jashtë vendit nuk është pritur mirë nga ekspertët e industrisë së filmit.
Ata sqarojnë se ky vendim do të çojë në çmime më të larta për prodhimet filmike dhe biletat e filmave.
“Ndoshta çmimet do të rriten. Ndoshta do të bëhet më e shtrenjtë të realizosh filma. Pra, ose do të xhirohen më pak filma, ose filmat që do të xhirohen do të jenë më të shtrenjtë. Këto kosto do të vijnë më vonë. Do të jetë më e shtrenjtë të shkosh në kinema. Biletat do të rriten dhe do të jetë më e vështirë për njerëzit të blejnë bileta për të parë filma. Rrjedhimisht, do të ketë më pak njerëz që do të shkojnë në kinema. E gjithë industria e filmit për momentin është në një krizë. Patëm Covid-in, i cili pati një ndikim të madh në xhirimin e filmave. Patëm protesta nga aktorët dhe producentët. Shtetet e Bashkuara e mbyllën prodhimin e filmave për një periudhë të gjatë kohore. Hollyëood dhe industria e filmit po përpiqen vërtet të rikuperohen nga ato zhvillime të mëdha. Nëse i shtojmë këtyre kostot shtesë të prodhimit ose këto tarifa, kjo mund të ketë efekte katastrofike në industri. Nuk shoh asgjë pozitive që vjen nga kjo”, tha Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.
Një lëvizje e tillë e Trump rrezikon të shkatërrojë një industry që mbështetet tek vendet e huaja për të bërë filma.
“Ky vendim vjen pak përpara Festivalit të Filmit në Kanë do të thotë se kjo është gjithçka për të cilën do të flasë secili prej nesh. Ne shpresonim të flisnim për filmat, yjet dhe magjinë e kinemasë, por të gjithë do të flasin për Trumpin dhe tarifat dhe ndikimin e këtij vendimi në industrinë e filmit. Ndoshta ky ishte plani i Trump. Tani do të jetë Trumpi që do të jetë në qëndër të bisedave në Kanë dhe jo Tom Cruise”, Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.
Pavarësisht reputacionit historik të Los Angeles si qendra e kinemasë, studiot e filmit me kalimin e viteve e kanë prodhuar filma në vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia për të përfituar nga lehtësirat tatimore dhe kostot më të ulëta.
“Ka shumë arsye pse nuk po prodhohen më filma në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryesorja ka të bëjë vetëm me paratë. Është bërë shumë e shtrenjtë të xhirosh në Shtetet e Bashkuara për shumë arsye dhe SHBA nuk ka lehtësime tatimore siç kanë disa vende të tjera, Australia, Kanadaja dhe shumë vende në Evropë. Tjetra ka të bëjë me stimujt financiarë që po i largojnë njerzit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pa këta stimuj në vend dhe pa gjëra të tjera që mund ta bëjnë më të lehtë dhe më të lirë të prodhosh filma në Shtetet e Bashkuara, nuk shoh arsye që të xhirohen sërish filma në vend. Por ndoshta, në plan afatgjatë mund të ketë një ndikim”, tha Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.
Por cilat janë disa nga pasojat në plan afatgjatë në industrinë e filmit?
“Unë mendoj se një nga pasojat që mund të ketë është se studiot e filmit do të kërkojnë të prodhojnë filma në Evropë, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke i prodhuar ato në anglisht, duke i bërë ato ndoshta me talente amerikane, por duke bërë tërësisht prodhime evropiane për Evropën dhe duke përjashtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur bëhet fjalë për studio të mëdha filmike kjo do të jetë pak e vështirë për tu bërë. Do të jetë e vështirë që të bëhet diçka 100% jashtë SHBA-ve dhe pastaj të vuajnë ndikimin e tarifave”, tha Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.
Scott Roxborough thotë se ende nuk ka detaje se si do të zbatohen këto tarifa.
“Nuk ka fare qartësi se si do të funksionojnë këto tarifa, dhe për çfarë do të zbatohen. Le të marrim si shembull një film të madh amerikan si Minecraft që sapo doli në kinema. Është xhiruar kryesisht në Zelandën e Re dhe ka përdorur financime nga jashtë Amerikës. Por është ende një prodhim amerikan i financuar pjesërisht nga Shtetet e Bashkuara. A është pjesërisht një prodhim amerikan? A është ky një prodhim pjesërisht ndërkombëtar? Prodhimi ndërkombëtar ka tarifa të pjesshme apo jotarifore? Është shumë e paqartë se si do të zbatohen këto tarifa”, tha Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.
Ndonëse Trump njoftoi se do të vendoste një tarifë ndaj filmave të huaj ai nuk dha detaje nëse tarifat do të shënjestrojnë filmat në platformat e transmetimit dhe ato që shfaqen në kinema dhe as nuk specifikoi nëse tarifat do të llogariten bazuar në kostot e prodhimit apo të ardhurat nga shitjet e biletave.
“Kur bëhet fjalë për platformat e transmetimit, ekziston një pyetje shumë e madhe se cilat prodhime të tyre do të konsiderohen ndërkombëtare apo jo dhe nëse do të aplikohen tarifat. Donald Trump i është referuar vetëm filmave në deklaratat e tij në lidhje me tarifat, por nuk është e qartë nëse ai do të përjashtojë prodhimet e Netflix. Po kështu, a do të aplikohen tarifa për Squid Game, një prodhim korean, dhe a do të duhet Netflix ta heqë nga platforma në SHBA apo t’u faturojë më shumë shikuesve amerikanë për të parë Squid Game ose The Crown ose Money Heist ose të gjitha këto prodhime të tjera ndërkombëtare që janë prodhuar jashtë Shteteve të Bashkuara. Edhe prodhimet në gjuhën angleze, shumë prej të cilave nga janë bërë jashtë SHBA-së. Emily in Paris është një shembull i shkëlqyer i kësaj”, tha Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.
Situata ndërlikohet nëse vendet e huaja përgjigjen me një kundërtarifë.
“Nëse Evropa, për shembull, vendos të kundërpërgjigjet me tarifa, siç kanë kërcënuar të bëjnë me mallra të tjera mbi të cilat Trump ka vendosur tarifa, kjo mund të ketë një ndikim të madh. Sepse kur bëhet fjalë për filmat, Amerika eksporton shumë më tepër se sa importon. Shumica e tregjeve ndërkombëtare në Evropë, në Kanada janë tërësisht të dominuara nga filmat amerikanë. 70- 80% e tregut përbëhet nga filma amerikanë, kështu që një tarifë për të gjithë këto filma do të kishte një ndikim të madh në industritë lokale dhe në shitjet e Hollywood në nivel ndërkombëtar. Do të jetë interesante të shihet nëse vende individualisht janë gati për të bërë një lloj marrëveshjeje dypalëshe me SHBA-në”, tha Scott Roxborough, ekspert në industrinë e filmit.
Trump po përmend shqetësimet për sigurinë kombëtare si shkak për këtë vendim.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump pretendoi se industria amerikane e filmit po “vdes shumë shpejt”,ndërsa vendet e tjera ofrojnë “të gjitha llojet e stimujve” për të larguar prodhimin e filmave nga SHBA-ja. Trump më parë ka shprehur shqetësim në lidhje me zhvendosjen e prodhimit të filmave jashtë vendit.
Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në Janar, kreu Shtëpisë së Bardhë aplikoi tarifa për shumë shtete.
Ai argumenton se tarifat të cilat janë taksa të aplikuara për mallrat e blera nga vendet e tjera do të nxisin prodhuesit amerikanë dhe do të mbrojnë vendet e punës.
Por ekonomia globale është zhytur në kaos si rezultat i kësaj dhe çmimet e mallrave në të gjithë botën pritet të rriten.
Edhe para këtij njoftimi më të fundit, industria amerikane e filmit ishte prekur nga pasojat e politikave tregtare të Trump. Në Prill, Kina tha se po zvogëlonte kuotën e filmave amerikanë të lejuar në vend./KultPlus.com