Të bashkuar kundër torturës: Trajtimi me dinjitet i personave me çrregullime mendore

26 Qershor, 2025 - 9:00 am

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT) risjell në vëmendje se shëndeti mendor është një e drejtë themelore dhe trajtimi dinjitoz i çdo individi është thelbësor në parandalimin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

Në Kosovë, mungesa e institucioneve të specializuara për vendosjen dhe trajtimin e kryerësve me çrregullime mendore vazhdon të cenojë rëndë të drejtat e njeriut. Personat me probleme të shëndetit mendor që ndodhen nën masë sigurie apo paraburgim, shpeshherë përfundojnë në institucione korrektuese të papërshtatshme, në kundërshtim me ligjin dhe me standardet ndërkombëtare.

Personat me çrregullime mendore nuk kanë vend në burg. Ata kanë nevojë për trajtim, jo për ndëshkim. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Neni 3, thekson se vendosja e tyre në qendra paraburgimi pa kujdes të duhur mjekësor përbën trajtim çnjerëzor dhe degradues.

QKRMT bën thirrje për:

• Rritje të kapaciteteve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, përfshirë hapësira për gratë dhe të miturit;

• Ndërprerje të menjëhershme të praktikës së mbajtjes së personave me çrregullime mendore në qendra paraburgimi;

• Trajnime të detyrueshme për gjyqtarët, prokurorët dhe stafin korrektues mbi shëndetin mendor, etikën dhe trajtimin dinjitoz;

• Qasje të qëndrueshme në shërbime profesionale, duke përfshirë mbështetje psikologjike, psiko-sociale dhe rehabilituese.

Gjithashtu, neni 14 i Konventës kundër torturës dhe ndëshkimeve të tjera mizore, çnjerëzore, degraduese apo ndëshkimitështë thelbësor, sepse njeh të drejtën e viktimave të torturës për kompensim dhe rehabilitim të plotë, duke i detyruar shtetet të krijojnë mekanizma efektivë për të siguruar këto të drejta në mënyrë praktike dhe të zbatueshme. Ai vendos një detyrim ligjor që shkon përtej thjesht ndalimit të torturës, duke synuar rivendosjen e dinjitetit dhe të mirëqenies së viktimës.

Në këtë 26 Qershor, QKRMT i bashkohet thirrjes globale: “Të bashkuar kundër torturës.”/ KultPlus.com

Të ngjajshme