Të dielën akrepat kthehen një orë mbrapa

29 Tetor, 2021 - 1:18 pm

E diela e fundit e muajit tetor (31 tetor), shënon ndërrimin e akrepave të orës dhe zhvendosjen e tyre një orë mbrapa. Koha diellore do të hyjë në fuqi natën ndërmjet të shtunës 30 dhe të dielës 31 tetor.

Ky ndryshim i orës do të ndodhë në orën 03:00 të mëngjesit, ku akrepat do të zhvendosen 60 minuta mbrapa dhe ora do të shënojë 02:00.

Ku ndryshim do të thotë që fitojmë një orë më shumë gjumë, por errësohet më shpejt.

Ora e verës ndryshon gjithmonë të dielën e fundit të marsit (një orë përpara) për verën dhe të dielën e fundit të Tetorit (një orë mbrapa) për dimrin.

Ndryshimi i orës më parë në Evropë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës dhe kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën, në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike.

Ndryshimi i orës në Evropë u vendos si ligj evropian nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma evropiane vendos në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora si tani, shkon një orë pas); që tani respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit. / KultPlus.com

Të ngjajshme