Të pagjetur, por jo të harruar

30 Gusht, 2020 - 10:28 am

Për të nëntën herë, nesër shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve. Kjo është një ditë kur njerëzit në të gjithë botën duhet të ndalen dhe të mendojnë për ata që janë të pagjetur.

Të humbasësh ndonjë të dashur është e dhimbshme. Por, të humbasësh një të dashur dhe të mos e dish kurrë fatin ose vendin e prehjes së tij ta djegë zemrën. Ky është realiteti i mbushur plot me vrer për shumë familje në mbarë Ballkanin Perëndimor për më shumë se dy dekada.

Rreth 40.000 persona u zhdukën gjatë konflikteve të viteve 1990 në territorin e ish-Jugosllavisë. Diku 11.000 janë ende të pagjetur. Kjo mbetet një nga pasojat më të dhimbshme të këtyre konflikteve.

Ndërsa kujtojmë të pagjeturit, ne përkulemi me nderim para të gjithë atyre që kanë punuar pa pushim për t’i gjetur dhe identifikuar viktimat e konfliktit dhe për t’u sjellë sadopak ngushëllim familjeve të tyre që ende janë në zi.

Mes dhembjes dhe vuajtjes së zgjatur, qëndron një tregim i jashtëzakonshëm. Më shumë se 70 për qind e atyre që janë raportuar të humbur në fund të luftimeve janë gjetur. Asnjë rajon tjetër në botë nuk ka arritur një shkallë kaq të lartë të identifikimit pas konfliktit.

Një arsye për këtë është përdorimi i teknologjisë së re që ka bërë revolucion në procesin e identifikimit të mbetjeve mortore. Kjo teknologji përdor mostrat e ADN-së nga anëtarët e familjes së gjerë, si dhe nga familja e ngushtë, dhe do të bëjë të mundur përparimin e mëtutjeshëm në mbylljen e këtij kapitulli të dhimbshëm të trashëgimisë së konfliktit.

Mbretëria e Bashkuar ka pasur privilegjin të mbështesë dhe të punojë me institucionet qeveritare dhe organizatat vendase dhe ndërkombëtare. Këto përpiqen t’u japin familjeve shpresë se të dashurit e tyre do të gjenden dhe identifikohen, dhe t’u japin atyre prehje shpirtërore.

Familjet e të pagjeturve e kanë një tregim që të ngjallë ndjenja të forta. Zërat dhe veprimet e tyre kanë vazhduar të ndihmojnë dhe të ofrojnë mbështetje për të tjerët që merren me këtë çështje. Ne mbetemi të përulur nga guximi dhe vendosmëria e tyre. Siç tha Lartmadhëria e Tij, Princi i Uellsit, kur u takua me ta në Londër, “dinjiteti dhe njerëzia e tyre është një mësim për të gjithë ne dhe rikujtim se pajtimi nuk është thjesht një koncept abstrakt teorik”.

Në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër, të mbajtur në korrik 2018, në një Deklaratë të Përbashkët, udhëheqësit rajonalë u zotuan të sigurojnë hetime të paanshme dhe efektive të rasteve të personave të pagjetur; të zgjidhin sa më shumë raste që të jetë e mundur; t’i angazhojnë në mënyrë aktive në këtë proces familjet e të të pagjeturve; dhe të përmbahen nga politizimi i çështjes. Sot, ne ua rikujtojmë të gjithëve këto zotime.

Ne mbetemi të përkushtuar për të ndihmuar në intensifikimin e përpjekjeve për të gjetur dhe identifikuar ata që ende janë të zhdukur. Bashkëpunimi edhe më i ngushtë bilateral dhe rajonal do të jetë vendimtar për zbardhjen e rasteve të pazgjidhura. Një pjesë kyç e kësaj është Grupi për Personat e Zhdukur i krijuar nga Institutet për Personat e Zhdukur nga Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Plani i Grupit përcakton veprimet që do t’i ndërmarrin këto vende për të zbardhur rastet e mbetura të personave të zhdukur, përfshirë këtu edhe krijimin e një databaze referuese publike.

Ne përshëndesim vendosmërinë e Instituteve për Personat e Zhdukur për të punuar së bashku përtej kufijve dhe për t’i vendosur familjet në thelbin e procesit. Ne u bëjmë thirrje instituteve që të vazhdojnë të kultivojnë këtë qasje dhe të mbeten të orientuar drejt këtij qëllimi, për t’u sjellë ngushëllim familjeve që ende po i kërkojnë të dashurit e tyre.

Ndërsa po shënojmë këtë ditë përkujtimore, ne rishprehim zotimin për të mbështetur punën e rëndësishme që ende nuk ka marrë fund. Ne për asnjë moment nuk i shkëpusim sytë nga synimi për të zgjidhur ato mijëra raste që mbeten të pazgjidhura. Ne do të vazhdojmë të punojmë për drejtësi për viktimat e konfliktit, për t’u sjellë prehje mendore dhe shpirtërore familjeve të tyre dhe për arritjen e pajtimit të qëndrueshëm anekënd këtij rajoni të bukur.

(Bashkautorë të shkrimit janë: Nicholas Abbott, ambasador britanik në Kosovë, Steve Arrick, i ngarkuar me punë në Ambasadën britanike në Podgoricë, Matthew Field, ambasador britanik në Bosnjë-Hercegovinë, Sian MacLeod, ambasador britanik në Serbi, Karen Maddocks, ambasadore britanike në Mal të Zi dhe Helen WalkerFlemming, e ngarkuar me punë në Ambasadën britanike në Kroaci) / KultPlus.com

Të ngjajshme