Të rinjtë e Srebrenicës me misionin ta mbajnë qytetin gjallë

12 Korrik, 2020 - 2:30 pm

Më 11 korrik të vitit 1995, kur më të afërmit e tyre po e kalonin golgotën në Srebrenicë, Xhenana Salihoviq ka qenë vetëm njëmuajsh, ndërsa Ahmo Memedoviq ende ka qenë në barkun e nënës.

Sot, këta të rinj, të ngarkuar me dhembjen e kujtimeve të trashëguar nga të mbijetuarit, thonë se ruajtjen e kujtimit për viktimat e gjenocidit e kanë zgjedhur si mision të jetës së tyre, duke punuar në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoqari, dhe kanë një porosi: “Ky është qytet për të cilin të gjithë flasin dhe të gjithë “brengosen”, gjersa ai rrënohet para syve tonë”.

Aq shumë të qeshura kanë jehuar atë ditë, vetëm një javë para 11 korrikut, kur në Potoqari u takuam me dy të rinjtë e Srebrenicës, Ahmon dhe Xhenanën, saqë kalimtarëve të rastit mund t’iu ketë dukur se po e thyejmë qetësinë e një vendi të shenjtë, por jam e sigurt që shpirtrat e atyre që prehen këtu në paqe nuk na kanë zërë për të madhe dhe, në fakt, u ka ardhur mirë që dëgjojnë të qeshura.

Djaloshi me sy të kaltër, gjithmonë i gatshëm për shaka, dhe vajza e tërhequr, me flokë të gjatë dhe sy të pikëlluar, por që kur qeshin shkëlqejnë nga një dritë e brendshme: Xhenana i ka 25 vjet, Ahmo do të ketë aq në tetor, njëjtë sa kanë kaluar nga korriku i tmerrshëm i vitit 1995 dhe territ që e mbuloi Srebrenicën atë vit, viti më i vështirë për secilin të mbijetuar nga ky vend, shkruan revista Gracija.

Xhenana ka qenë njëmuajsh në korrik të vitit 1995, Ahmo ka qenë në barkun e nënës, e cila e lindi më 1 tetor të atij viti, pas gjenocidit. Atyre nuk u kujtohet, por mbajnë kujtimet e më të afërmve të tyre, vuajtjet e tyre. Nuk kanë kujtime, por e ndiejnë dhimbjen e hidhur, për ata të cilët as nuk i kanë parë, as dëgjuar, e as nuk kanë arritur t’i duan, megjithatë i njohin nga fotografitë e shpëtuara.

Mbajnë në mend tregimet e atyre që kanë mbijetuar. Dhe u dhemb që nuk i kanë kujtimet e tyre të fëmijërisë në Srebrenicë. Të mira apo të këqija, ashtu si i ka secili fëmijë, transmeton KOHA.

“Lufta ma ka ndryshuar jetën. Edhe atë si një foshnje njëmuajsh, kur nuk e kam ditur as që ekzistoj. Lufta ma mori të drejtën për familje dhe fëmijëri. Nuk kam pasur mundësinë të kem baba, gjysh, dajë, gjyshe, xhaxha, teze, halla…m’i kanë marrë 12 anëtarë të familjes së ngushtë, edhe asnjëherë nuk do ta kem të qartë me çfarë të drejte”, thotë Xhenana.

Babai i saj quhej Xhevat, ka pasur 38 vjet kur u vra. Ai me nënën e Xhenanës, Ramizën, ishin takuar për herë të fundit te posta në Srebrenicë, ku ka qenë UNPROFORI-i. “Ia ka dhënë nënës një qese me keksa, i ka gjetur diku. Dhe ka thënë: ja mbaji këta keksa, të mbani shpirtin derisa nuk kaloni në territor të lirë. Dhe kujdesuni për të voglën, un ika kah pylli”.

Dhe nuk janë parë asnjëherë më.

Me katër vajza, duke e mbajtur “të voglën” Xhenanë në krah, Ramiza niset kah Potoqari, te baza e UN-it. Atje i ndajnë gratë dhe fëmijët, i fusin në fabrikë. Aty kanë kaluar tre ditë. Sytë e murrmë të Xhenanës bëhen edhe më të errët derisa e vazhdon tregimin: “Nuk ka pasur as ushqim, as ujë. I kemi pasur ata keksa. Gjersa kemi qenë në fabrikë, ka ardhur një informatë që ka arritur një cisternë, dhe nëna ka dalë për të na sjellë ujë. Kur ka dalë, ushtarët serbë nuk e kanë lejuar të kthehet. I ka lutur, u ka thënë se i kanë mbetur fëmijët, ndërsa njëri prej tyre i ka thënë: le të mbesin, nëse nuk i kapim të gjithë këta që ikën në pyll, do t’ju vrasim juve”.

Nëpërmes rrëmujës së krijuar në moment, Ramiza arriti t’u kthehet të bijave në fabrikë. Edhe nuk ka dalë më nga aty, derisa nuk i kanë vendosur në autobusë. Rrugës ka parë imazhe të tmerrshme, njerëz të varur, njerëz të mbytur, njerëz të gjallë në kamionë, për t’i dërguar në kampe ose t’i vrasin, transmeton KOHA.

Ka rënë terri kur kanë arritur në Luke. “Një grua, ashtu si tregon nëna, nuk ka dashur të dalë nga autobusi. Qante dhe thoshte se nuk shkon, ngase prapa i ka mbetur shpirti, fëmija i saj”, thotë Xhenana.

Pastaj në këmbë kanë arritur në Ravne dhe aty, pas tre ditësh, kanë pirë ujë. Ushqim nuk kanë pasur. Kanë vazhduar në këmbë drejt Zhivnicas. Xhenana ka qenë e djegur nga dielli, gjersa nëna po e mbante në krah nga Srebrenica. Se si Ramiza arriti që me vajzat 15, 14, 11 vjeç dhe me beben njëmuajsh t’i tejkalojë të gjitha këto, nuk e dinë as vetë.

Ahmo e ka përjetuar gjenocidin në barkun e nënës, ndërsa ka arritur në botë në qytetin Modrac, ku familja e tij ka ikur pas 11 korrikut. Kanë mbijetuar nëna, babai, vëllezërit dhe motra. Babai Salihu ka ikur nëpërmes pyllit dhe ka dalë në territorin e lirë.

Nëna i ka treguar për atë se çka ka ndodhur në korrik të atij viti. “Kanë pasur një thes me tesha dhe ushqim. Janë ndarë në Bukovik, babai i ka puthur të gjithë, vëllain dhe motrën, ndërsa nënës ia ka dhënë thikën për roje. Ka menduar, nëse e vrasin, të na mbetet një kujtim”… Ahmo ndalet, merr frymë, e pastaj vazhdon: “Ka ikur nga pylli dhe asnjëherë nuk na ka treguar rrugën e tij. Mban trauma në supe dhe nuk mund të flet për atë gjë”.

Ahmo dhe Dzenana, pas shumë viteve që kanë jetuar si refugjatë në vendet e tjera, janë kthyer në familjet në Srebrenicë, kanë përfunduar studimet dhe punojnë te Qendra Përkujtimore. Njihen që nga viti 2004. Dhe, që nga ajo kohë, luftojnë për veten, Srebrenicën dhe të mirën e përgjithshme. “Këtu nuk keni nevojë për bashkëjetesë, por jetesë! Bashkëjetesa do të thotë të jetojmë pranë njëri-tjetrit, ndërsa jetesa të jetojmë së bashku”, thotë Xhenana.

Realisht, por sërish me pozitivitet, shikojnë jetën e tyre në Srebrenicë. Ahmo thotë: “Nëse sot jetoni në Srebrenicë, do të thotë se jeni optimistë të mëdhenj, ose patriotë, ose të moshuar. Sinqerisht, unë nuk e shoh veten diku tjetër. Mendoj që kam investuar në veten dhe në dijeninë time dhe mund t’i jap këtij vendi së paku diçka. Srebrencia sot duket si qytet i fantazmave, çdo ditë ka më pak të rinj. Më pak njerëz, pavarësisht moshës”.

Na flasin për gjendjen e tërë Bosnjës dhe Hercegovinës sot. Të rinjtë, kur dalin për studime në qytete më të mëdha, kryesisht edhe mbesin atje, janë të rrallë ata që kthehen. Thjesht nuk shohin perspektivë. “Përpiqem të motivoj veten, kërkoj arsye për të mbetur këtu dhe mundohem. Dëshiroj që ky qytet të bëhet sërish ashtu si ka qenë nëpër histori, të përdoren potencialet natyrore, të rritet ekonomia, turizmi të përdoret në kapacitetin më të lartë”, thotë Ahmo.

Xhenana shton: “Srebrenica është qytet për të cilin të gjithë flasin dhe të gjithë “brengosen”, gjersa ky vend po na rrënohet para syve. Është qytet i përgjysmuar. Qe 25 vjet po rimëkëmbet dhe assesi të shërohet. Qytet i cili pas orës 3 pasdite është i shkretë, vend ku çkado që hapet menjëherë mbyllet. Nuk ka gjëra elementare, si për shembull furra buke”.

Në çdo hap, çdo fytyrë, çdo rrugë, edhe sot shihen pasojat e gjenocidit dhe agresionit. Edhe pas 25 vjetëve, Srebrencia përballet me sfida të ndryshme: ato ekonomike, politike, shoqërore.

“Të rinjtë janë të prekur më së shumti. Katundet në Srebrenicë janë të zbrazëta, të rinjtë i ka ndarë politika, nuk ndihen të sigurt në Bosnje dhe Hercegovinë, gjë që edhe kuptohet kur merrni parasysh se në çfarë kushte janë rritur, në një vend ku kriminelët e luftës quhen heronj. Çdo javë del ndonjë mural kushtuar ndonjë krimineli lufte, konviktet e studentëve i emërojmë me emrat e tyre. Çfarë gjenerata jemi duke rritur? A nuk mësuam asgjë nga e kaluara? Për të ndërtuar të ardhme në Bosnje dhe Srebrenicë, së pari duhet të përballemi më të kaluarën. Vetëm një qasje kritike ndaj asaj periudhe mund të sjellë deri te respekti dhe vlerësimi i ndërsjellë dhe kjo gjë është në duart e të rinjve, sepse të rinjtë me dëshirën për të ndryshuar mund të kontribuojnë në ndërtimin e paqes dhe ardhmërisë në Srebrenicë”, tha Xhenana.

“Dëshirojmë ta ruajmë kujtimin e viktimave të gjenocidit”, thotë Ahmo. “Dëshirojmë të mbesim në Srebrenicë, që ky vend të jetë qytet i së ardhmes, pajtimit, turizmit dhe potencialeve natyrore. Dëshirojmë të jemi në këtë qytet, që këtu të krijojmë familjet. Nuk dëshirojmë ta lëmë këtë vend”.

Të ngjajshme