Të rinjtë i besojnë më shumë TikTok sesa mediave

14 Qershor, 2023 - 5:38 pm

Numri i njerëzve në mbarë botën që informohen nëpërmjet gazetave apo tv ka rënë me 10% që nga viti 2018. Grupmoshat më të reja preferojnë të aksesojnë lajmet përmes mediave sociale, sipas një raporti të publikuar të martën.

Përdoruesit janë më të interesuar për personat e famshëm, influencuesit dhe personalitetet që shfaqen në rrjetet sociale, në platforma të tilla si TikTok, Instagram dhe Snapchat, sipas Institutit Reuters për Studimin e Gazetarisë në Raportin e tij vjetor.

TikTok është rrjeti sociale me rritjen më të shpejtë i paraqitur në raport, i përdorur për informacion nga 20% e përdoruesve të moshës 18 deri në 24 vjeç, 5% më shumë nga viti i kaluar. Më pak se gjysma e të anketuarve shprehën një interes të madh për lajmet në përgjithësi.

“Nuk ka asnjë arsye për të shpresuar që të lindurit në vitet 2000 do të fillojnë papritur të preferojnë faqet e vjetra të internetit, aq më pak lajmet e shtypit dhe televizionit”, theksoi drejtori i Institutit në raport, Rasmus Nielsen. Raporti u bazua në një anketë në internet me afro 94,000 të rritur në 46 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më pak se 1/3 e të anketuarve thanë se një mënyrë e mirë për të qëndruar të informuar është përmes lajmeve të zgjedhura nga algoritme dhe jo nga redaktorët apo gazetarët. Besimi në lajmet ka rënë me 2% gjatë vitit të kaluar, duke përmbysur fitimet e vërejtura në shumë vende në kulmin e pandemisë së koronavirusit.

Mesatarisht, 40% e të anketuarve thanë se i besojnë shumicës së lajmeve që ata lexojnë. Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një rritje prej 6% në besimin e tyre ndaj lajmeve, duke arritur në 32%, por mbeten ndër më të ulëtat në renditje.

Ndërsa, 56% e qytetarëve në tregjet mediatike thonë se nuk mund të bëjnë dallimin midis lajmeve reale dhe të rreme në internet, kjo shifër është rritur me 2% rritje nga viti i kaluar.

Sondazhi zbuloi se 48% e të anketuarve thanë se janë shumë të interesuar për lajmet, nga 63% në 2017./KultPlus.com

Të ngjajshme