Të rinjtë shqiptarë me videomesazh, “Më ka marrë malli për Vlorën” (VIDEO)

22 Qershor, 2020 - 4:53 pm

“Më ka marrë malli për Vlorën” mban titullin një videomesazh i realizuar me të rinjtë shqiptarë të qytetit të Vlorës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, si Nju Jork, Dallas, Bremen, Milano, Pragë e Vjenë.

Pjesë e kësaj videoje promovuese janë profesionistë e artistë të mirënjohur të skenave ndërkombëtare, si balerini Eno Peçi.

Anni, një vajzë e cila jeton me bashkëshortin e saj në SHBA, Nju Jork shprehet se ka mall për Vlorën. Dashurinë e saj për Vlorën dëshiron të ja tregojë eshe bashkëshortit të saj. “Unë kam lindur në Vlorë dhe jetoj në Nju Jork bashkë me familjen time. Kam shumë dëshirë t’ia tregoj bashkëshortit”,- tha Anni.

Ndërsa bashkëshorti Christopher, shprehet se mezi pret të udhëtojë drejt Vlorës. “Mezi pres ta vizitoj Vlorën e bukur, të shoh plazhin spektakolar dhe zonat atraktive të pabesueshme. Shpresoj të vij sa më shpejt”,- pohoi ai.

Ndërsa Mario është nga Teksasi i SHBA. Ndër gjërat që i ndjen më së shumti mungesën, ai përmend shëtitoren e Vlorës. “Na mungon Vlora, shumë”,- thekson ai.

“Këtu është një mbrëmje e mrekullueshme, por do dëshironim vërtet të ishim në plazhet e Vlorës së bashku me familjet tona”, – shprehet nga ana tjetër Carson, bashkëshortja e  Marios.

Edhe Bimi Gunbardhi nga Bremen në Gjermani mezi pret që të udhëtojë drejt Vlorës. “Urojmë që çdo gjë të rregullohet, biletat i kemi gati dhe urojmë të nisemi sa më shpejt drejt Vlorës për të kaluar tre javë të mrekullueshme muzike dhe frymëzimi në bregdetin e bukur”,- u shpreh ai.

Nga Milano, Genci Tepelena thotë se: “dëshirën më të madhe e kam që pushimet t’i kaloj në bregdetin e Vlorës. Të festojmë daljen nga pandemia atje, bashkë me familjen time”.

Paola Rrapaj nga Praga nuk i fsheh emocionet kur flet për Vlorën. “Është dashuria ime, më bën ta ëndërroj. Miqtë dhe familjarët që kam atje ma bëjnë edhe më të madhe dëshirën për t’u kthyer në Vlorë”,- u shpreh ajo.

Balerini i njohur Eno Peçi nga Viena, kërkon që Vlorën t’ia prezantojë fëmijëve të tij. “Më ka marrë malli për Vlorën, mezi pres t’ia tregoj fëmijëve të mi bukurinë e Vlorës”.

Këto janë vetëm një pjesë nga shqiptarët në të gjithë botën që janë nga Vlora dhe që iu mungon ky vend.

Video e realizuar nga Deputeti Fate Velaj ka për qëllim prezantimin e disa prej të rinjve ekselentë nga Vlora të cilët kanë arritur suksese në botë në fusha të ndryshme, me qëllim sensibilizimin për të sjellë përvojën e marrë në botë në vendlindjen e tyre. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme