Të shtunën do të përkujtohen viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në sheshin Skënderbeu

8 Korrik, 2021 - 11:03 pm

Të shtunën, përmes ndezjes së qirinjve do të kujtohen të gjitha viktimat e gjenocidit të Srebrenicës duke filluar nga ora 20:00, në sheshin Skënderbeu (tek Teatri Kombëtar). Vetëm përmes njohjes dhe pranimit të së kaluarës dhe vendosjes së drejtësisë për viktimat, mund të synohet drejtësia shoqërore dhe dialogu ndëretnik për të ardhmen, përcjellë KultPlus.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) po shënon 26 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. Në gjenocidin e korrikut të vitit 1995 në Srebrenicë, rreth 8372 civil u vranë. Rreth 25,000 persona të tjerë të vënë para dy zgjedhjeve “zhdukuni apo do vriteni” u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

Aksionit simbolik do i paraprijë ekspozita online e cila do të prezantohet gjatë ditës së 10 korrikut nga YIHR KS në bashkëpunim dhe e krijuar nga Qendra për Hulumtim Pas Konfliktit (PCRC) në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo ekspozitë vjen në kuadër të fushatës “Gjenocidi në Srebrenicë përmes Gjykimeve Ligjore” të PCRC.

Në kuadër të shënimit të përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, do të ketë edhe aktivitete nga kampanja “SREBRENICA 26: SË BASHKU KUNDËR VIRUSIT TË MOHIMIT” të udhëhequr nga SENSE – Qendra për Drejtësi Tranzicionale së bashku me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Po ashtu, nga iniciativa të qytetarëve, më 10 korrik nga ora 11:00 në fshatin Vitomiricë të Pejës, do të bëhet përurimi i pllakës përkujtimore për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Ndërsa edhe një pllakë tjetër përkujtimore do të përurohet në Prizren më 11 korrik nga ora 11:00.

Së bashku sfidohet tendenca për të mohuar dhe harruar ngjarjet e së kaluarës dhe krimet e luftës. / KultPlus.com

Të ngjajshme