‘Të tregosh historinë e Oriana Fallacit është si të tregosh historinë e shekullit të 20-të’

9 Qershor, 2021 - 5:29 pm

E guximshme dhe e talentuar. Me mënyrën e mrekullueshme të të shkruarit, ajo mahniti gjenerata të tëra, një nga gazetaret më me ndikim të shekullit XX. Ajo është një nga shkrimtaret dhe gazetaret më të vlerësuara, po edhe më të lexuara në të gjithë botën. 12 librat e saj janë përkthyer në më shumë se 20 gjuhë. Vlerësohet të ketë shitur, të paktën 20 milionë kopje të punimeve të saj në të gjithë botën. Ka spikatur veçanërisht si intervistuese, madje askush nuk ka qenë në të vërtetë aq i mirë në prezantimin e aspekteve më misterioze të yjeve dhe figurave që pushtuan organet e pushtetit.

Oriana Fallaci është një nga ikonat e pushtetit të katërt, duke treguar se gazetaria e praktikuar me parime të qarta është e aftë të ndikojë mbi ngjarjet. Në diktofonin e saj kanë kaluar disa nga figurat më me ndikim të shekullit të 20-të. Thonë, se të gjithë e urrenin. Ndërsa për të, kjo nënkuptonte se po e bënte mirë punën. Përveç gazetare, ishte dhe një shkrimtare e mrekullueshme. Stili i drejtpërdrejtë, i ndjeshëm dhe zbavitës ka magjepsur breza të tërë. Në krijimtari ka prekur një larmi temash: nga ndrydhja e grave në botën myslimane, deri te udhëtimi për në hënë, përfshi historinë e Muhamedit Ali. Sa i përket udhëtimit në Hënë, një nga historitë më të famshme të Oriana Fallacit, rrëfen udhëtimin e “Apolo XII”.

Oriana Fallaci lindi në Firence, Itali, më 29 qershor 1929. E ëma kishte karakter të fortë, kurse i ati, Eduardi, ishte një marangoz i thjeshtë, i dashuruar me punën e Marsel Prustit dhe i majtë radikal. Oriana ishte më e madhja fëmijë dhe ai do kishte dashur të ishte djalë. Meqë nuk ishte rasti, ai e edukoi atë sikur të ishte djalë. Babai e mësoi të shtinte, të gjuante dhe t’i rezistonte situatave të dhimbshme pa u ankuar. Kur u përhap fashizmi në Itali, Eduardi dhe vajza 13-vjeçare iu bashkuan rezistencës. Babai i Orianës u burgos dhe u torturua nga nazistët gjatë pushtimit, në Firence, ndërkohë ajo shërbeu si korriere ndaj rezistencës. Në fund të luftës, ushtria italiane i akordoi medalje nderi për guximin e treguar, kur ishte vetëm 14-vjeçe. Ishte nxënëse e shkëlqyer dhe falë një burse arriti të studionte për mjekësi. Sidoqoftë, fati do ta drejtonte në një tjetër tjetër: do ta joshte gazetaria. Përpara se të mbushte të njëzetat, i kishte hyrë zanatit.

Dëshmitare e historisë

Fallaci punoi për shumë gazeta të vogla. Në fund të viteve 1950, filloi të shkruajë për revistën “L’Europeo”, prej nga shkoi në Shtetet e Bashkuara, ku shkroi kolonën për teatrin. Pikërisht përmes kësaj përvoje, lindi libri i parë. Udhëtimi e bëri të kuptonte se ndihej mirë në Shtetet e Bashkuara, si rrjedhojë në fillim të viteve 1960 u zhvendos në Nju Jork. Më vonë, filloi një seri udhëtimesh drejt Orientit. Librat “Seksi i padobishëm” dhe “Penelopa në luftë” janë fryt i kësaj periudhe, mandej shkroi një seri artikujsh dhe një libër mbi projektet hapësinore të NASA-s. Në 1967 u emërua korrespondente lufte dhe iu kërkua të mbulonte konfliktin në Vietnam, ku do të trajtonte kronika të shumta dhe një nga librat më të famshëm: “Jeta, lufta dhe pastaj asgjë”. Qysh atëherë, u njoh në të gjithë botën. Mbuloi disa lëvizje shoqërore, madje gjatë masakrës në Tlateloco, në sheshin e “Trois Cultures”, Meksikë, ajo u qëllua disa herë. E pandehën të vdekur dhe e dërguam në morg. Ishte një funksionar që vërejti se ishte ende gjallë dhe u dërgua në spital.

Oriana Fallaci: një grua, një legjendë

Epoka e intervistave të mëdha, filloi më vonë. Mund të aprovojmë, se ajo arriti të ulej në tryezën e burrave më të fuqishëm në botë të asaj periudhe. Një nga dialogët e paharrueshëm ishte ai që shkëmbeu me Ajatollah Khomeinin. E pyeti për trajtimin e gruas dhe hoqi në praninë e tij rrobën që ishte detyruar të vishte. Pjesa më e madhe e punës është regjistruar në librin “Intervista me historinë”. Në vitin 1973, gjatë një prej intervistave të saj, ajo takoi Aleksandros Panagulis, heroi grek që i ishte kundërvënë diktaturës. U dashuruan marrëzisht. Lidhja, përfundoi tri vjet më vonë, kur Panagulis vdiq, gjë e cila shenjoi thellë jetën e Oriana Fallacit. Librin “Një burrë”, Fallaci ia kushtoi Panagulisit. Fallaci eci në rrugën e suksesit, por pas disa vitesh u strehua në apartamentin njujorkez. Më pas, u trondit nga kanceri i mushkërive dhe 11 shtatori. Lidhur me këtë fakt, ajo shkroi artikuj kaq radikalë kundër islamit, sa tri qeveri e ndoqën penalisht për ksenofobi. Në vitin 2006 dhe në fshehtësi, kërkoi ta kthenin në Firencen e lindjes, pasi donte të vdiste në qytetin ku lindi. Dhjetë ditë më vonë, më 15 shtator, Oriana Fallaci ndërroi jetë, duke lënë një trashëgimi të pakrahasueshme gazetareske.

Oriana Fallaci e mbylli jetën mbuluar me paradokse.

Luftëtare e flaktë antifashiste dhe laike, u shndërrua në ksenofobe ekstremiste dhe fetare. Papritmas, u deklarua “ateiste e krishterë”, e ftuar në 2005 nga Papa Benedikti XVI, të cilin e admironte për mbrojtjen e vlerave të krishtera, në pallatin papnor të “Castel Gandolfo”. Ia delegoi trashëgiminë personale Universitetit Pontifical Latran. “Të tregosh historinë e Oriana Fallacit është si të tregosh historinë e shekullit të 20-të”./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme