Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit uron 70-vjetorin e artistit të shquar Nikolin Gurakuqi

25 Korrik, 2025 - 9:30 pm

Sot, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i uron ditëlindjen një prej figurave më të rëndësishme të operës shqiptare, këngëtarit, regjisorit dhe pedagogut Nikolin Gurakuqi, i cili prej më shumë se katër dekadash ka kontribuar me pasion dhe përkushtim në zhvillimin e artit skenik shqiptar.

Rrugëtimi i tij artistik nisi në vitin 1979 në skenën e TKOB-së, fillimisht si korist, për të vijuar më pas si solist në një sërë rolesh të spikatura. Ndër rolet që kanë lënë gjurmë në karrierën e tij përmenden: Gjergj Arianiti në operën “Skënderbeu”, Mateo në “Paja”, Komandanti në “Borana”, Deloja në “Nëna e trimave”, Il Marchese në “La Traviata”, Don Bartolo në “Il barbiere di Siviglia”, Colline në “La Bohème”, Ferrando në “Il trovatore” dhe shumë të tjera.

Ai ka interpretuar gjithashtu edhe jashtë vendit, në skena në Francë dhe Itali. Pas një specializimi në Francë në vitet ’92-’93, Nikolin Gurakuqi iu përkushtua me sukses edhe regjisë, duke sjellë në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare një frymë të re interpretimi, një vizion bashkëkohor dhe një ndjeshmëri të thellë dramatike.

Ka realizuar mbi 80 produksione operistike në TKOBAP, Universitetin e Arteve, qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj, në Itali, Greqi, Kosovë. Disa nga veprat më të njohura që mbajnë firmën e tij regjisoriale janë: “Tosca”, “Il signor Bruschino”, “Carmen”, “Aida”, “Falstaff”, “Il trittico”, “Manon Lescaut”, “Otello”, “Rigoletto”, “Një ballo me maska”, “Goca e Kaçanikut” e shumë të tjera.

Përveç regjisë, Gurakuqi është gjithashtu autor i skenografive, artikujve dhe botimeve që analizojnë regjinë dhe interpretimin në opera. Veçanërisht vihet në dukje libri i tij i fundit, Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në teatrin muzikor”, një botim unik që hedh dritë mbi regjinë operistike nga një këndvështrim profesional dhe të thelluar.

Si pedagog dhe mentor i dhjetëra artistëve të rinj, ai ka ndikuar në formimin e shumë brezave të këngëtarëve lirikë shqiptarë, duke mbështetur emra tashmë të afirmuar si Josif Gjipali, Armand Likaj, Aurel Thëllimi, Dorina Selimaj, por edhe artistë të rinj në ngjitje si Bledar Domi.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, Nikolin Gurakuqi është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh”, dhe është vlerësuar edhe nga shtypi ndërkombëtar si një artist me kulturë të gjerë europiane.

Në këtë ditë të veçantë të 70-vjetorit, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i shpreh mirënjohjen më të thellë për gjithçka ka dhënë dhe vazhdon të japë për artin shqiptar dhe për gjurmën e pashlyeshme që ka lënë në historinë e operës në vendin tonë./KultPlus.com

Të ngjajshme