Telegram ngushëllimi i ministres Dumoshi, me rastin e ndarjes nga jeta të profesoreshës Sazana Çapriqi

19 Mars, 2021 - 6:13 pm

Të nderuara familjet Çapriqi e Grajqevci,

Me pikëllim dhe mërzi të madhe e mora lajmin për vdekjen e Sazanës, nënës, familjares e bijës tuaj, profesoreshës e mikeshës tonë.

Ndarja nga jeta në një kohë të hershme është një përjetim i rëndë për fëmijët por edhe për familjen dhe është një humbje e madhe për ta edhe për ne, që e kemi njohur dhe bashkëpunuar me Sazanën.

Sazana, e cila ishte e lidhur ngushtë me familjen dhe me kolegët e miqtë, ka qenë një rrezatim dhe frymëzim dhe gjithmonë u ndodhej pranë.

Përpos angazhimit dhe kujdesit maksimal për familjen, Sazana ka qenë një pedagoge e shkëlqyer universitare dhe studiuese e përkthyese e mrekullueshme e anglishtes, duke kontribuuar jashtëzakonisht në edukimin e gjeneratave si dhe në pasurimin e veprave të shumta me përkthime mjeshtërore.

Sazana ka qenë e angazhuar dhe ka bashkëpunuar edhe me institucionet, duke dhënë një kontribut të shumanshëm, si në organizata të shkrimtarëve, e së fundi ka qenë edhe anëtare e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Në emër timin personal dhe të institucionit, ngushëllimet e përzemërta dhe të sinqerta ua përcjell fëmijëve, familjeve Çapriqi e Grajqevci, miqve e kolegëve të Sazanës.

I lehtë i qoftë dheu! / KultPlus.com

Të ngjajshme