Tentativa e Nurellarit për ta politizuar kërkesën e grupit për mbrojtje të liqenit të Badovcit

19 Janar, 2020 - 4:55 pm

Shkruan: Ilir Krasniqi

Të kërkosh apo të mbrosh një të drejtë të sanksionuar me ligj është e drejtë e secilit qytetar e garantuar edhe me Kushtetutë si akti më i lartë të vendit. Këtu nuk ka asnjë krim sikundër rastit të krijimit të një grupi qytetarësh në mbrojtje të Badovcit të cilët kërkojnë një të drejtë të bazuar në fakte. Besoj se këtë e di edhe Adri Nurellari si një studiues, këshilltar dhe kolumnist i angazhuar kryesisht në fushën e politikës dhe media. Do të isha kureshtar të dija se në cilin institucion je këshilltar?

Është për keqardhje si studiues ta ulësh veten duke fyer një masë kritike e cila është organizuar spontanisht për një zonë e cila mund t’i nënshtrohet një rreziku nga pretendimet e një kompanie për të ndërtuar dhe që rrezikon liqenin dhe mjedisin. Por në mendime je shumë kontrovers, duke u munduar të bësh një paralele midis kësaj mase kritike me popullin skandinav. Kjo sepse në vendet skandinave as që i shkon ndërmend ndonjë kompanie ndërtimi të pres një dru nga gjobat e larta, e lëre më të kërkojë leje ndërtimi në një zonë të ndaluar. Si studiues duhesh të përkufizosh kritikën në individë kur është fjala për hedhjen e mbeturinave vend e pavend që jam dakord. Por nuk ki të drejtë t’ia apostrofosh dhe të fyesh tërë kombin shqiptar për hedhjen e hedhurinave vend e pavend.


Në njërën anë thua nuk pretendon të jesh ekspert i planifikimit urban as inxhinierë mjedisor ndërkohë kritikon. Si studiues shpresoj që e di që nuk mund të kritikosh pa një analizë profesionale e që vetë e pranon se nuk je ekspert në këtë fushë. Dhe nuk shohë asnjë bazë të shikosh këtë problem përmes prizmit ideologjik e politik siç e konsideron masën kritike me një “mentalitet të theksuar majtist”.


Të drejtën e një grupi për të protestuar në interes të publikut nuk mund ta konsiderosh linçim të sipërmarrësve privatë sepse këtu bëhet fjalë për një kompani ndërtimore i cili pretendon të ndërtojë në një zonë që prek interesin publik të sanksionuar edhe me ligj.


Dhe a nuk dukesh kontrovers në mendime kur e quan grupin e protestuesve linçues dhe nga të njëjtit kërkon të kenë konsideratë disa rrethana tjera të rëndësishme për këtë projekt? Ardi merr dokumente dhe armatosur mirë para se të bësh vlerësime kritike. Duke marrë si referencë deklaratën e bashkë investitorit të kompanisë 4M Group se projekti do të ndërtohej në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së ambientit, po ta parafrazojë një vlerësim nga kapitulli i mjedisit të raporti i progresit të KE ku thuhet se në mjedis, po shohim një kërkesë publike të rritur për të adresuar sfidat serioze të mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike të cilat dëmtojnë shëndetin dhe jetesën e qytetarëve të Kosovës. Institucionet e Kosovës duhet ta marrin këtë shumë më seriozisht dhe të fillojnë me ofrimin e rezultateve”. Dhe të gjitha kërkesat dhe argumentet ky grup i ka të bazuara në ligjet aktuale.


Shkojmë më tej. Askush nuk besoj se ndihet keq për arritjet e Përparim Ramës dhe çmimet e arritura në fushën për interier. Por ndërtimi dallon nga interieri. Dhe nuk e besoj që as Rama në emër të atij çmimi ndryshe , se në ndonjë vend perëndimor ku zbatimi i ligjeve është rigoroz, do të tentojë të veprojë në Kosovë. Gjithashtu duhesh ta kuptosh se interesi publik është më i madh se ai individual në rastin kur flet për pronë private edhe në sistemin liberal-demokratik. Duhesh ta kuptosh në aspektin juridik se toka është gjithmonë pronë e shtetit, dhe e drejta për pronësi nënkupton vetëm shfrytëzimin që tash me ligjin aktual të bazuar në sistemin liberal-demokratik është për 99 vite. Njëherazi shfrytëzimi nuk nënkupton lejen për të bërë çfarë të duash jashtë ligjeve që përcaktojnë zonat e ndërtimit dhe zonat e gjelbëruara. Nuk ki të drejtë të fyesh qytetarët që protestojnë duke i cilësuar me mentalitet anti –investim dhe kundër kapitalizmit. Sa më shumë që thellohem në shkrimin tënd shohë se argumentet e tua për kritik janë si një pikë uji në det. Mos ky grup për mbrojtje të liqenit të Badovcit kërkon diçka joligjore?. Ti si analist medial duhesh të jesh ne funksion të mbrojtjes së interesit publik, ky është misioni yt nëse nuk ke hyrë në ujëra të turbullta. Dhe është ironike të bësh paralele me urbanizmin pranë liqeneve në vendet perëndimore.

Është fyerje e inteligjencës së qytetarëve duke u treguar si duken qytetet buzë liqeneve në vendet e rajonit dhe ato perëndimore. Këto vende me miliona herë janë vizituar nga qytetarët dhe po të rikujtojë se në këtë grup me sa kam parë me qindra janë që me vite kanë jetuar në perëndim. Ndërsa në veten e parë njëjës po të them mos krahaso qytetet në brigjet e liqeneve në Zvicër sepse o ke mungesë njohurish o bënë punën e avokatit. Pjesën më të madhe të territorit të Zvicrës e zënë Alpet dhe normalisht të gjitha ajo ujëra përfundojnë në atë pak territor të rrafshët dhe dendësia e popullatës në male për shkak të lartësive të mëdha është më i vogël. Andaj edhe qytetet janë ngritur në rrafshe dhe s’kanë mundur të ngritën në majet e thepisura të Alpeve. Dhe si studiues po lë shije të keqe me një dezinformatë se deri në korrik të vitit 2018 në liqe janë derdhur ujëra të zeza. E kam thënë në një publikim dhe po e them secila shtëpi në Sutjesk e Mramor ka pasur gropa skeptike dhe nëse dikush ka kontribuuar në ruajtjen e ambientit rreth Badovcit kanë qenë pikërisht banorët e kësaj ane. Pavarësisht që disa kanë pasur parcela afër liqenit asnjëherë nuk iu kanë ndryshuar destinacionin. Në afërsi të liqenit të Badovcit janë ndërtuar katër pesë shtëpi nga banorë me sa e di unë që nuk janë banorë dem baba dem të atij vendi.

Do të kërkoja si koleg të penës, në publikimet e tua ti referohesh ligjeve jo komenteve politike për çështjet konkrete jetësore. Sepse duke politizuar çdo gjë, jemi ku jemi si shoqëri dhe si komb. Koalicioni për mbrojtjen e Badovcit shkon në dy drejtime: të ndalen planet e ndërtimit afër liqenit dhe të sigurohet mbrojtje efikase e pjesëve të vlefshme të natyrës.

Pas ajrit faktori më i rëndësishëm është uji për njeriun, që në rastin e Kosovës ka mungesë të madhe dhe ky është argumenti më i fuqishëm në raport me çfarëdo ndërtimi qofshin ato. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme