‘Termokiss’ fillon programin ‘Krejt Ka Pak V- Me Zemër Ngat’

24 Tetor, 2020 - 3:42 pm

Të mërkurën e 28 tetorit, duke filluar nga ora 09:00, qendra e parë shoqërore në Prishtinë, ‘Termokiss’, fillon me programin pesë ditor ‘Krejt Ka Pak V- Me Zemër Ngat’, ku do të përfshihen aktivitete të ndryshme.

Termokiss është qendra e parë shoqërore në Prishtinë e cila gjendet në lagjen Dardania, në afërsi të ngrohtores së qytetit “Termokos” dhe shkollës fillore “Dardania”. Objekti ku ‘Termokiss’ i zhvillon aktivitetet është ndërtuar në fillim të viteve të ‘90ta por asnjëherë nuk është shfrytëzuar deri në korrik të 2016, kur dhjetëra vullnetarë nga Kosova, Belgjika dhe Zvicra u bashkuan për të revitalizuar këtë strukturë nën ombrellën e projektit të quajtur “Toestand Mâche Prishtina”.

‘Në vitin 2016, ndër herat e para, jemi njoftu me njani-tjetrin përmes koncertit “Krejt Ka Pak” ku shumë prej nesh e kemi ndje nevojën me u bashku e me punu për ni vizion t’përbashkët. Në vitin 2017 kemi vazhdu me festivalin “Krejt Ka Pak II – n’dorën tone” ku konteksti kryesor i aktiviteteve theksuan më tutje mësimet e marra në Termokiss, pra randësinë e përgjegjësisë individuale/kolektive. Krejt Ka Pak III u fokusu në një prej qëllimeve kryesore t’komunitetit e programit tonë: arsimimin përmes edukimit jo-formal. Vitin e kalum në Krejt Ka Pak IV u bashkuam për me ja përkujtu njoni-tjetrit se çka po presim, e qysh mujmë me i kthy pritjet tona në nji realitet. E këtë vit në Krejt Ka Pak V po mblidhemi për me tregu ndjeshmëri, dashni dhe solidaritet’, thuhet në komunikatën për media.

Po bashkohemi prap për një qëllim të përbashkët edhe në këtë Krejt Ka Pak.

Këto ditë janë ditë për të gjetur mënyra të reja për me qëndru bashkë. Mënyra të reja për me tregu ndjeshmëri, dashni dhe solidaritet me njoni-tjetrin. Mënyra të reja për tu ndjerë afër, mënyra të reja për të ngritur gjendjen shpirtënore dhe për ta bërë njoni-tjetrin të fortë.

Sfidat e problemet, kanjëherë vec të orientojnë me gjetë vetën aty ku nuk e ke pritë. Të kujtojnë me qen falenderues dhe me vlerësu atë çka ke. E në këto situata e kupton që gjithçka që kemi është njoni-tjetrin. Bashkë po e kalojmë këtë situatë, të largum por më të lidhur se kurrë.

E këtë edicion të pestë të Krejt Ka Pak-ut #MeZemërNgat po afrohemi për me ofru, me marrë e me dhan, me folë, me ngu, me lujt, me mësu, me luftu një pandemi tu shpernda dashni e njohuni e tu u ndje më afër se kurrë.

Edhe ti mundesh me gjetë veten tu i ndihmu dikujt tjetër, ndihmoji shoqnisë me përballu, pranoje veten, duje, ndryshoje, empatizo, formësohu e frymëzo. Ne ngrihemi duke ngritur të tjerët. Me u mirrë me veten, e me njoni-tjetrin, s’ki çka me pritë mo se krejt osht në dorën tonde, me zemra ngat e me thembra larg.

Shënoni datat 28,29,30,31 tetor dhe 1 nëntor.

Duke respektuar masat për ndalimin e përhapjes së virusit COVID-19, në hapësirë të Termokissit nuk do të lejohen më shumë se 60 persona. Gjithashtu nuk do te lejohen grupimet ndërsa mbajtja e maskës dhe distancës është obligative. Faleminderit për mirëkuptimin.”, theksohet ndër të tjera në njoftim.

Bashkangjitur gjeni edhe programin e plotë të këtij edicioni.

https://www.facebook.com/Termokiss/posts/2851700661726814

Të ngjajshme