Terry Hesellius, amerikani që erdhi për tre muaj e ngeli përherë kosovar

14 Nëntor, 2022 - 3:30 pm

“Pasi që i kisha kaluar 17 shtete duke shpërndarë ndihma humanitare i erdhi radha Kosovës. Mandati im ishte 3 muaj. Shkova në fshatin e parë me ndihma mielli. Familja e parë nuk e mori miellin, sepse at mëngjes i kishte marr nja 10 kg miell (një tepsi miell, nga fqinji, ‘ju lutem dërgojani fqinjit tim i cili nuk ka asnjë kilogram’. U habita, por vazhdova. Familja e dytë në listë, sapo kishte marr një kovë me nja 4-5 kg miell dhe me gjithë mirënjohjen për kujdesin, na udhëzuan tek familja skamnore e radhës… Këtë nuk e kisha has askund në jetën time. Katër djemtë e mi, rastësisht, kanë qëlluar në katër cepet e SH.B.A.-ve, e gruaja në Zagreb, dhe në këtë kohë kisha menduar të jetojë sa më afër syresh…Mirëpo, njerëzit e Kosovës më bënë pjesë të jetës së tyre…”, kështu rrëfeu Terry Hesellius për gazetën “Rilindja”/”Bujku”, më 1997.

Ai, ndante ndihma për tërë Kosovën, në veçanti aty ku nuk mund të depërtonin shqiptarët nga milicia e ushtria serbe, si në malet e Drenicës e Llapit! Mbarëvajtjen e hartonte me përkrahjen e gjithmbarshme të Ibrahim Rugovës dhe të kryetarëve të degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që gjatë viteve të 1990-ta, e kishin shtrirjen në tërë Kosovën.

Terry Hesellius, ka sjell fotografitë e para, që janë botuar në “Bujku”/”Rilindje”, nga malet e Berishës, kur ato ishin mbyllur hermetikisht nga forcat “e zeza” të Serbisë.

Ndihmat e para humanitare amerikane rreth 25 milion dollarë, për Kosovën, u ndanë nga Mercy Corps, udhëhequr nga Terry Hesellius.

Fotografitë dhe historia e treguar nga Ilaz Bylykbashi, fotoreporteri që çdo ditë po sjell për publikun diçka nga historia kosovare e para dhe pas viteve 90’. / KultPlus.com

Të ngjajshme