6 Gusht, 2025 - 11:18 pm
Festivali Ndërkombëtar i Video Artit “Gjon Mili” rikthehet këtë vit në Korçë me edicionin e tij të tretë, që do të mbahet nga 27 deri më 29 gusht 2025, në tre lokacione, me qendër në Muzeun Gjon Mili.
Me titullin “The Skin of Light”, ky edicion fton artistët dhe publikun të mendojnë dritën si një lëkurë simbolike – një hapësirë ku përzihen kujtesa, ndjesia dhe perceptimi. Drita shfaqet jo vetëm si element teknik, por si një sipërfaqe poetike ku ndërthuren realja dhe imagjinata.
Nga 1230 aplikime të ardhura nga mbarë bota, 62 artistë janë përzgjedhur për të paraqitur punimet e tyre që eksplorojnë marrëdhënien e njeriut me dritën, ekranin dhe emocionin. Çdo punim ofron një gjuhë unike vizuale që lëviz midis botës virtuale dhe asaj fizike.
Festivali hapet në vendin simbolik ku mbetet i gjallë emri i mjeshtrit të fotografisë, Gjon Mili, duke e kthyer muzeun që mban emrin e tij në një qendër të dialogut artistik bashkëkohor.
Ky edicion sjell më shumë se një festival arti – është një thirrje për të ndier, për të parë dhe për të imagjinuar dritën si një lëkurë që flet./KultPlus.com