”The Sun”: Isha në Ksamil, në Maldivet e Evropës, dhe rashë në dashuri me atë vend

23 Maj, 2023 - 2:30 pm

Një zonjë britanike ka përshkruar vizitën e saj në “Maldivet e Evropës” dhe arsyen pse ajo ra në dashuri me këtë vend, sipas gazeta e njohur britanike ”The Sun”.

”Për shumë njerëz, plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat blu të pastër i bëjnë Maldivet një destinacion të rëndësishëm. Por, udhëtimi atje nuk është gjithmonë i lehtë.

Fluturimet janë të gjata dhe të shtrenjta, që do të thotë se njerëzit përfundojnë duke kërkuar alternativa më afër shtëpisë.

Megjithatë, një zonjë britanike dhe Tiktok-eri “The Travel Mum” zbulon se sa e lehtë është të udhëtosh diku me pamje të ngjashme, pa pasur nevojë të largohesh nga Evropa.

Në një video, ajo ka shpjeguar se si mund të shkohet në Ksamil, të cilit i referohet si “Maldivet e Evropës” dhe saktësisht se çfarë mund të presin vizitorët.

Pamjet e saj janë parë mbi një milion herë në Tiktok, ku ajo dhe familja e saj shihen duke shijuar plazhet me rërë me ujëra bruz si dhe perëndimin e diellit në ngjyrë portokalli të ndezur, nga ballkoni i hotelit.

Për më tepër, plazhi është shumë i qetë, që do të thotë se pushimet e saj dukeshin të qeta dhe relaksuese.

Njerëzit u mahnitën nga ajo që panë në video dhe thanë se do ta mendonin ta vizitonin vetë.

“Një vend që nuk e kisha menduar kurrë se do ta vizitoja. Do të shkoj të kërkoj më shumë në këtë vend”, shkroi një komentues.

“Duket një vend i mahnitshëm”, tha një tjetër.

Megjithatë, një komentues i tretë ishte i shqetësuar se sa i vështirë do të ishte udhëtimi atje.

“Si udhëtohet atje? A është e vështirë?”, tha ai.

Në një video tjetër, zonja shpjegoi se atje mbërriti shumë lehtë.

Ajo tha se “ne vazhdojmë të dëgjojmë për Maldivet e Evropës, kështu që le t’i shohim. Ka disa gjëra që duhet të bëjmë për të mbërritur deri atje dhe e para është të marrim një avion për në Korfuz”.

“Tani që jemi në Korfuz po i drejtohemi portit dhe marrim një traget për në Sarandë. Ne kemi rregulluar paraprakisht të marrim me qira një makinë, çmimi i së cilës na u ul 25%, deri në destinacionin tonë përfundimtar në Ksamil”, shton ajo.

Përveç vendpushimit dhe sa e thjeshtë ishte për të mbërritur deri atje, TikTok-erja ishte gjithashtu e kënaqur me atë se sa e përballueshme ishte gjetja e akomodimit, me vendndodhje të përshtatshme.

“Ne kemi rezervuar një apartament në qendër, me dy dhoma gjumi, për vetëm 190 paund për gjashtë netë. Është një vend i shkëlqyer për të shijuar plazhet e shumta të bukura, por edhe për të eksploruar disa vende të mrekullueshme aty pranë. Sapo shpenzuam pesë paund në supermarket për të ushqyer pesë persona”, shton ajo.

“Ne jemi absolutisht të dashuruar me Shqipërinë”, përfundon zonja britanike.

Për ata që nuk janë të interesuar të marrin një traget nga Korfuzi, ka një mënyrë edhe më të lehtë për të arritur në Ksamil nga Britania e Madhe.

Fluturimet janë më të shpejta se sa deri në ishujt Kanarie, pasi të duhen vetëm tre orë për të mbërritur atje.

Linjat direkte lidhin Shqipërinë me Londrën, Manchesterin, Birminghamin, Bristolin dhe Newcastle.

Dhe ky vend i panjohur pushimesh është vetëm tre orë larg Britanisë së Madhe./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme