“Thuaji jo largimit nga Shqipëria”, takim në COD

19 Dhjetor, 2022 - 2:00 pm

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) janë organizuar disa veprimtari në kuadër të Javës Botërore të Emigrimit. Njëri prej tyre ishte takimi me temë: “Thuaji Jo largimit nga Shqipëria”, në bashkëpunim me Ines Hoxhën. Diskutimi i zhvilluar, angazhoi të rinj të ndryshëm, përfaqësues nga ambasadat dhe institucionet publike, në sallën “Forum”.

Të ftuarit ndanë me njëri-tjetrin eksperiencat e tyre personale, ndjesitë e rikthimit në Shqipëri, si edhe kontributin që aktualisht japin në vendin e tyre.

Ndërkohë më herët, COD organizoi konkursin e shkrimit krijues me temë “Unë qëndroj në Shqipëri”. Ky konkurs erdhi si një thirrje e të rinjve për të qëndruar në Shqipëri dhe për ta ndërtuar të ardhmen në vendin tonë.

Komisioni i vlerësimit të shkrimit krijues përbëhej nga Rita Petro, autore tekstesh shkollore për letërsinë, shkrimtare dhe botuese, nga Albert Gjoka, drejtues i platformës “Bukinist” dhe nga Erjonilda Dojka, përgjegjëse e Sektorit të Librit dhe të Projekteve në COD.

Në këtë konkurs morën pjesë 38 nxënës nga gjimnaze të ndryshme. Në bazë të disa kritereve, si origjinaliteti, gjuha dhe stili, figuracioni, përmbajtja ndaj temës, zbatimi i rregullave drejtshkrimore etj., komisioni shpalli fitues në vend të parë Irsa Metën, nxënëse në gjimnazin “Sami Frashëri”, Tiranë. Në vend të dytë u rendit Rezarta Gjeleshi nga gjimnazi “Fiqiri Dine”, Maqellarë, Dibër. Dhe çmimi për vendin e tretë iu dha Gledisa Rexhës, nxënëse në gjimnazin “Ismail Qemali”, Tiranë. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme