“Thuani emrat e përdhunuesve dhe ngacmuesve seksualë”, protestë në Mitrovicë

20 Maj, 2021 - 3:08 pm

Ngacmimet seksuale dhe përdhunimet po raportohen çdo ditë e më shumë.

Sot u raportua se dy burra kanë përdhunuar një vajzë të mitur në Mitrovicë.

Ky rast veç̧ sa është duke e treguar natyrën epidemike të përdhunimeve e abuzimeve ndaj vajzave e grave, për çka edhe do të kundërshtohet përmes një proteste në Mitrovicë.

Organizatorët e protestës janë shprehur se kjo është duke dhënë alarm mbi rrezikun dhe ankthin e vazhdueshëm në të cilin rriten dhe jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë. Burrat po vazhdojnë t’i dhunojnë dhe ngacmojnë vajzat kudo, duke na treguar fare mirë se për vajzat e gratë asnjë vend nuk është i sigurtë.

“Në gjithë këtë situatë, institucionet private e publike, thellësisht patriarkale, janë bashkëfajtore. Praktika e amnistimit të ngacmuesve dhe përdhunuesve duhet të ndalet dhe emrat e përdhunuesve e ngacmuesve duhet të thuhen nga policia. Ne kemi të drejtë të dijmë kush janë përdhunuesit.

Rastet e përdhunimit e ngacmimit seksual të vajzave dhe grave në çdo hapësirë janë rrezik për shoqërinë tonë dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftim.

Andaj, të shtunën, duke filluar nga ora 12:00 në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë do të protestohet për ta kundërshtuar dhe dërguar mesazhe revolte kundrejt shtypjes e abuzimit të grave.

Protestueset/it duhet t’i respektojnë udhëzimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin fizik. / KultPlus.com

Të ngjajshme