Tifozit anglez i humbi kuleta në rrugët e Prishtinës, zbulon çka ndodhi me të

19 Nëntor, 2019 - 11:34 am


Një tifoz anglez ka treguar se si e kishte humbur kuletën e tij në Prishtinë, gjatë ditëve që ishte në vizitë për ndeshjen midis kombëtares së Kosovës dhe asaj të Anglisë në futboll.

Kosova – Anglia u zhvillua këtë të diel në ‘Fadil Vokrri’, në kuadër të fazës së grupeve në kualifikimet për Euro 2020, shkruan Insporti.

Në ndeshjen e fundit në grup, Kosova u mposht 4:0 në shtëpi nga Anglia por që kjo humbje nuk kishte rëndësi, pasi që Kosova e kishte të pamundur kualifikimin e drejtpërdrejt nga faza e grupeve.

Rezultati ishte i parëndësishëm, sepse ishte atmosfera para, gjatë dhe pas ndeshjes ajo që dominoi dhe pushtoi mediat britanike dhe ato botërore.

Mikpritja për tifozët anglezë ishte aq e ngrohtë, sa që ata kanë qenë të mahnitur gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.

Në rrjetin social ‘Twitter’, qindra tifozë patën fjalët më të mira për Kosovën dhe popullin kosovar. Ata ishin befasuar nga mirëpritja dhe trajtimi, ndërkaq kanë treguar se dëshirojnë që sërish ta vizitojnë Kosovën, pasi që ndjejnë se njerëzit janë shumë të dashur dhe mikpritës.

Madje, një tifoz ka treguar se si një pronar i hotelit i kishte liruar nga pagesa dhe i kishte blerë disa birra tifozit anglez. Ndërsa, një tifoz tjetër anglez ka treguar se si e ka humbur kuletën në një nga rrugët kryesore të Prishtinës, e më pas ajo iu kthye nga një kosovar dhe asgjë nuk i ishte marrë.

“Më ka rënë kuleta në rrugën kryesore të Prishtinës. Ky djaloshi hyri në lokal, ma ktheu kuletën dhe nuk ishte marrë asgjë nga aty. Kosova me të vërtetë është vend i madh”, ka shkruar në ‘Twitter’, fansi Simon Bruce.

Ai tregoi se ka pasur shumë të konsiderueshme parash, dhe dokumente të rëndësishme.

“Seriozisht, në kuletë kam pasur 500 funte dhe kartelat bankare dhe asgjë s’ishte marrë. Njerëzit në Kosovë janë më të mirët”, ka shkruar tutje ai.

Bruce, ashtu si shumë tifozë të tjerë të Anglisë, ka postuar foto të ndryshme nga qëndrimi i tij në Prishtinë, për ndeshjen që u zhvillua në ‘Fadil Vokrri’. /KultPlus.com

Të ngjajshme