9 Qershor, 2025 - 2:59 pm
Aktori i njohur Timo Flloko është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna e Pejës, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, si aktor, regjisor dhe poet.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Rexhep Kurtbogaj, i dorëzuan këtij artisti të madh titullin për përfaqësimin e denjë të Kosovës dhe Shqipërisë në skenat ndërkombëtare, si dhe për punën e tij në promovimin e vlerave kulturore të Pejës.
“Është nder për ne të ndajmë këtë titull, si një mirënjohje për punën tuaj të madhe,” tha Muhaxheri gjatë ceremonisë.
Ndërkaq, Timo Flloko u shpreh i emocionuar dhe falënderues për nderimin, duke theksuar lidhjen e fortë që ka me Pejën, qytetin e tij të lindjes dhe rritjes. “Kam një rrugë me emrin tim në Pejë, por ky titull është maja e piramidës. Rrënjët janë këtu dhe për mua Peja ka një vend të veçantë në zemër,” tha ai.
Ky nder vjen si një falënderim për jetën dhe veprën artistike të Timo Fllokos, i cili ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kulturën shqiptare dhe më gjerë./KultPlus.com