Tirana shpallet Kryeqytet Evropian i Rinisë, Ermal Meta: Tirana jeni ju, të rinjtë

4 Shkurt, 2022 - 4:30 pm

Këngëtari shqiptar i mirënjohur edhe në Itali Ermal Meta ka marr pjesë në ceremoninë gala të hapjes së eventeve të vitit 2022 ku Tirana është shpallur Kryeqyteti Evropian i Rinisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse për të rinjtë që kishin mbushur Pallatin e Kongreseve, përpara performancës së tij muzikore Meta u shpreh i lumtur që rikthehet në Tiranë, sidomos në këtë edicion special që e kthen vëmendjen e gjithë Evropës drejt kryeqytetit shqiptar.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu me ju. Hera e parë që u ktheva në Tiranë ishte në vitin 2018 kur bëra koncertin tim të parë në një qytet kaq të bukur dhe nuk prisja një transformim të tillë. Më goditi shumë dhe më la një ndjesi shumë të mirë. Ajo që më godet më shumë sa herë që kthehem janë njerëzit. Tirana jeni ju, sepse Tirana mund të ketë rrënjë shumë të thella, por ju jeni degët e reja dhe duhet të kërkoni diellin edhe në momente të vështira,” ishte mesazhi i artistit mjaft të dashur drejtuar të rinjve.

Ermal Meta performoi të suksesshmen “Piccola Anima” të pavdekshmen “Caruso” dhe “What a wonderful world” në sallën e Pallatit të Kongreseve të kthyer në arenën e të rinjve që do jenë pjesë e mijëra eventeve të Tirana European Youth Capital 2022./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme