Titulli “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” për prof. dr. Hamlet Bezhanin, pas vdekjes

10 Qershor, 2020 - 8:00 pm

Presidenti Ilir Meta i jep titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, prof. dr. Hamlet Bezhanit.

Meta shprehet se “në nderim dhe mirënjohje për kontributin e tij të vyer si profesor i gjuhës angleze dhe gjermane, dhe në vlerësim të punës së jashtëzakonshme si studiues, autor tekstesh dhe gjuhëtar i talentuar, pata sot kënaqësinë që edhe me rastin e 80-vjetorit të lindjes, të çmoj Prof. Dr. Hamlet Bezhanin, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, pikërisht në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ku ai kontribuoi si profesor për mbi 40 vjet”.

“Prof. Bezhani i përket brezit të intelektualeve që hodhën themelet e arsimit të lartë në Shqipëri veçanërisht në fushën e gjuhësisë, të cilët me dashurinë e tyre për shkencën, studimet e shqipërimet e paharruara nga gjuha angleze dhe gjermane, edukuan breza të tërë me kulturën dhe vlerat europiane. Falë përvojës së Tij të çmuar dhe përkushtimit për gjuhën e përkthimin ai përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare si ambasador i shkëlqyer i kombit tonë në botë, në studime dhe hulumtime shkencore të vendeve të ndryshme”, tha ai.

Po ashtu, Meta shton se “megjithëse prof. Bezhanin nuk e kemi më mes nesh prej 5 vitesh, ai ka lënë pas breza të respektuar akademikësh, studiuesish të gjuhëve dhe përkthyes të talentuar, të cilët vazhdojnë sot denjësisht traditën e çmuar të tij dhe të familjes së dashur Bezhani”.

Të ngjajshme