Titulli ‘Mjeshtër i Madh’ për piktorin Avni Delvina

28 Maj, 2022 - 3:40 pm

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” piktorin dhe artistin e shquar, si dhe aktivistin e spikatur të shoqërisë civile, Avni Delvina: “Me mirënjohje ndaj veprimtarisë dhe kontributeve të çmuara artistike si piktor i spikatur me vlera dhe merita intelektuale dhe atdhetare, si dhe për forcimin e lidhjeve të gjithanshme, veçanërisht kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në vlerësim të punës së palodhur për ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe për angazhimin e tij të vyer në radhët e shoqërisë civile, rreth çështjeve me ndjeshmëri të lartë dhe jetike për qytetarët shqiptarë dhe demokracinë tonë”

Duke i drejtuar mjeshtrit Delvina, familjarëve, artistëve të shumtë, personaliteteve të artit e kulturës si dhe aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Presidenti Meta u shpreh se, “Avni Delvina, është një nga pasardhësit e familjes së madhe të Sulejman Delvinës, Shefqet Delvinës dhe të Avni Bej Delvinës, familje me vlera të shquara patriotike, që ka kontribuar në mbrojtjen e trojeve tona kombëtare dhe të interesave kombëtare, duke u vendosur gjithmonë në shërbim të kauzave më të rëndësishme të vendit dhe kombit”.

“Avni Delvina kishte mbi supe këtë trashëgimi të rëndësishme dhe natyrisht nuk mund të ishte ndryshe nga paraardhësit e tij. Edhe pse filloi të pikturojë në një moshë jo fare të re, talenti dhe kontributi i tij ishin të dukshëm, dhe bënë që në vitin 1989, të pranohej Kandidat i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”, tha Meta.

“Avni Delvina mori pjesë në ekspozita të ndryshme kombëtare, ku krijoi lidhje e bashkëpunime me piktorë të ndryshëm të asaj kohe, si Adrian Devoli, Mustafa Arapie shumë të tjerë, bashkëpunime të cilat vazhdojnë edhe sot. I etur për liri e demokraci, në 2 korrik 1990, Avni Delvina ishte ndër ata që vendosi të largohej nga Shqipëria, për t’u vendosur në Itali së bashku me familjen e tij. Iu deshën vetëm pak muaj, pas vendosjes në Itali, që të hapte ekspozitën e tij të parë në Bolonja. Jehona e kësaj ekspozite ishte shumë e madhe dhe bëri që ajo të pasohej edhe nga shumë ekspozita të tjera, ku piktori Delvina u vlerësua edhe nga kritikë të njohur italianë”, tha Delvina.

“Një prej tyre ishte Paolo Zauli, i cili i impresionuar nga veprat dhe krijimtaria e piktorit, hapi një ekspozitë personale, me punime të ndryshme të Avni Delvinës, në galerinë e tij me famë në të gjithë Italinë. Pasioni për t’u shprehur me anë të pikturës  dhe të ngjyrave, si  dhe ndjenjat e forta që përcjellin veprat e tij, kanë bërë që Avni Delvina të vlerësohej me çmime të ndryshme ndërkombëtare”, theksoi Meta.

“Ndërkohë që në Romë, në një nga kryeqytetet më të rëndësishme të botës, piktori Delvina u vlerësua me çmimin Leonardo i Artë, për pikturën dhe peizazhet e tij, të sjella në një formë ndryshe të artit, jo në atë klasike. Vittorio Sgarbi, kritiku i njohur i artit, analist dhe drejtues i shumë emisioneve në Itali, është gjithashtu, një ndër personalitet, që ka vlerësuar punën e Avni Delvinës, dhe ka në koleksion grafikën e tij”, tha Meta.

“Subjektet e krijimtarisë së Delvinës, i kaluan kufijtë evropianë, me ekspozitën e tij ‘The Donald’, e cila iu dedikua Presidentit të Shteteve të Bashkuara në atë kohë, Donald Trump.  Kjo ekspozitë, e çelur në Muzeun Historik Kombëtar, ishte unike për nga natyra dhe konceptimi, dhe u bë një lajm në shumë media ndërkombëtare”, shtoi Meta.

“Masivizimi i rrjeteve sociale frymëzoi artistin Delvina, që të nisë një formë të re të shprehjes së artit, atë të grafikës digjitale. Kjo lloj grafike është komunikimi i përditshëm i piktorit Delvina, i cili nëpërmjet qindra punimeve shpreh zërin e tij kritik, kundër padrejtësive dhe abuzimeve me pushtetin”, tha Meta./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme