Titulli ‘Mjeshtër i Madh’ për sopranon Marjana Leka

14 Korrik, 2022 - 9:00 am

Presidenti Ilir Meta i akordoi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” sopranos dhe pedagoges Marjana Leka.

Meta vlerësoi se Leka është një nga solistet lirike më të njohura dhe me një karrierë të gjatë prej dekadash në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, me rreth 30 role kryesore në skenën shqiptare dhe ndërkombëtare, të vlerësuara nga publiku dhe kritika.

Presidenti vlerësoi në fjalën e tij, se si nxënëse e artistes së madhe Edit Mihali, portreti muzikor i Marjana Lekës u formua ndër vite përmes dhjetëra interpretimeve të roleve më të spikatura të literaturës operistike botërore dhe shqiptare, duke dëshmuar profesionalizëm të lartë, kulturë interpretuese dhe artistike.

“Në vlerësim të kontributit të çmuar si artiste dhe personalitet i njohur i skenës operistike, përfaqësuese e denjë e artit vokal shqiptar dhe figurë e vlerësuar maksimalisht brenda e jashtë vendit i akordova Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Mirënjohje për transmetimin e përvojës së vyer për brezat e rinj të këngëtarëve operistikë, si dhe për promovimin e kulturës dhe artit shqiptar. Shumë urime dhe suksese të tjera”, tha Meta./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme