30 Maj, 2025 - 8:57 pm
Turizmi në Shqipëri po përjeton zhvillime cilësore me shtimin e destinacioneve unike që synojnë të ofrojnë përvoja të veçanta për vizitorët.
Në zemër të kryeqytetit, brenda mureve historikë të Kalasë së Tiranës, është hapur “Castle Boutique Hotel”, një investim elegant që bashkon harmoninë mes historisë së pasur dhe komoditetit modern.
Ky hotel me stil “boutique” është një shembull i mirëfilltë i zhvillimit të turizmit cilësor, që vlerëson trashëgiminë kulturore ndërkohë që ofron shërbime dhe ambiente moderne, duke i dhënë qytetit një dimension të ri mikpritjeje.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga objekti, duke theksuar se “Castle Boutique Hotel” ofron një përvojë unike për çdo vizitor që dëshiron të ndiejë Tiranën në mënyrë të veçantë dhe autentike.
Ai theksoi rëndësinë e investimeve të tilla në zhvillimin e sektorit turistik dhe nxitjen e vizitorëve vendas dhe të huaj që të eksplorojnë thesaret kulturore dhe historike të vendit.
“Plot elegancë, në zemër të Tiranës, brenda mureve të vjetra të Kalasë, “Castle Boutique Hotel” është një shembull i shkëlqyer i harmonisë mes historisë dhe modernes. Ky vend ofron një përvojë unike për çdo vizitor që dëshiron të ndiejë kryeqytetin në një mënyrë krejt të veçantë”, tha Rama.
Kjo iniciativë vjen në vazhdën e rritjes së përgjithshme të sektorit turistik në vend, që po shënon rekorde në numrin e vizitorëve dhe në investimet në hoteleri dhe shërbime të cilësisë së lartë.
Të dhënat zyrtare flasin për mbi 2,4 milionë të huaj që vizituan vendin në 4-mujorin e parë të vitit./atsh/KultPlus.com