Tragjedia në Bullgari, Osmani: Do t’u qëndrojmë afër miqve tanë

23 Nëntor, 2021 - 11:30 am

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me lajmin tragjik për aksidentin e ndodhur në mëngjesin e së martës në Bullgari, shkruan KultPlus.

Osmani përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” ka shkruar se ndjejnë pikëllim të thellë për familjet e viktimave.

“Në këtë moment pikëllimi të thellë, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe lutemi për të mbijetuarit. U shprehim ngushëllime popullit dhe autoriteteve të fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, prej nga vinin shumica e udhëtarëve, si dhe atyre të Bullgarisë, në tokën e të cilëve ndodhi tragjedia”, shkroi Presidentja.

Tutje Osmani tha se Republika e Kosovës vetëm pak kohë më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla.

“I dimë përmasat e dhimbjeve të tilla, por edhe nevojën për të reaguar shpejt, prandaj do t’u qëndrojmë afër miqve tanë në këto momente të vështira për ta”, shtoi ajo.

Bullgaria vitet e fundit njihet si një vend që ka pasur shumë aksidente, më së shumti për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë. /KultPlus.com

Të ngjajshme