27 Qershor, 2025 - 3:15 pm
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi zhvilloi një vizitë inspektuese në fondet arkeologjike të Durrësit, në kuadër të monitorimit të punimeve për transferimin dhe sistemimin e fondit arkeologjik të Institutit të Arkeologjisë në Durrës.
Akad. Gjinushi u njoh nga afër me kushtet teknike të ruajtjes së materialit, organizimin e inventarit, si dhe me punën e stafit specialist në këtë proces delikat që synon të sigurojë vazhdimësinë e kërkimit shkencor dhe trashëgimisë arkeologjike të qytetit antik.
Vizita u përqendrua në procesin teknik të zhvendosjes së materialit arkeologjik nga godina e mëparshme, e cila aktualisht do t’i nënshtrohet një rikualifikimi tërësor si pjesë e projektit të rikonstruksionit të Muzeut Arkeologjik të Durrësit.
Materialet janë transferuar dhe po sistemohen në një strukturë të re dhe të dedikuar, të ngritur enkas për të garantuar ruajtjen, administrimin dhe aksesin shkencor të fondeve arkeologjike.
Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm në drejtim të standardizimit të infrastrukturës së ruajtjes muzeale dhe të burimeve arkeologjike, si edhe një model i bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare./ KultPlus.com