30 Korrik, 2025 - 10:26 am
Një vit përpara se të ndërronte jetë, më 1996-ën, studiuesi, filozofi dhe disidenti i njohur Arshi Pipa i dhuroi Shkodrës një nga pasuritë më të çmuara të jetës së tij: bibliotekën personale.
Sot ajo ruhet në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës si një thesar me vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe shkencore.
Fondi ndahet në dy degë kryesore: Albanologji dhe Filozofi, ndërsa përfshin edhe koleksione të plota të revistave më të njohura shqiptare të kohës.
“Ka shumë vepra që janë vetëm në gjuhë të huaj, sidomos në aspektin e filozofisë, që nuk janë përkthyer ende në gjuhën shqipe. Gjithë pasuria e librave që Arshi Pipa ka pasur dhe i ka dhuruar Muzeut… bashkë me të edhe disa sende personale, si tryeza e punës, çanta apo makina e shkrimit,” thotë Majlinda Laçaj, përgjegjëse e Muzeut Historik të Shkodrës.
Interesi për këtë fond nga studiues të ndryshëm vendas dhe të huaj ka qenë i vazhdueshëm ndër vite, çka dëshmon rëndësinë e trashëgimisë që ka lënë pas Pipa.
“Kam pasur një ditë një reagim shumë të veçantë nga një turist holandez, i cili kishte në fondin e tij muzeor disa libra të Arshi Pipës. Foli me një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe me një çudi shumë të madhe se si është e mundur që në një muze qyteti të gjenden pasuri dhe fonde të tilla,” tregon znj. Laçaj.
Arshi Pipa (1920–1997) ishte një nga figurat më të ndritura të mendimit shqiptar të shekullit XX. Përndjekur nga regjimi komunist, ai e zhvilloi aktivitetin e tij shkencor dhe letrar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dha mësim në disa universitete të njohura dhe botoi vepra të shumta për gjuhën, letërsinë dhe filozifinë.
Biblioteka e tij sot është jo vetëm një pasuri për Shkodrën, por një burim i rëndësishëm për këdo që kërkon të zbulojë më shumë mbi trashëgiminë kulturore shqiptare, transmeton RTSH.