Tri kampionet olimpike të Kosovës nderohen në stadiumin Fadil Vokrri para ndeshjes me Greqinë

5 Shtator, 2021 - 9:21 pm

Tri kampionet olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, janë nderuar nga tifozët në stadiumin Fadil Vokrri para takimin kualifikues për Kupën e Botës 2022 mes verdhekaltërve dhe Greqisë të dielën.

Kosova është duke u përballur me Greqinë në një ndeshje të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit në Prishtinë, transmeton KultPlus.

Para fillimit të ndeshjes, tifozët dardanë i shpalosën një pankartë të madhe me imazhet e tri kampioneve olimpike të Kosovës.

Krasniqi dhe Gjakova iu bashkuan Kelmendit si kampione olimpike, pasi fituan medalje të arta në Lojërat Olimpike Tokio 2020 gjatë kësaj vere në Japoni.    

Kosova i fitoi dy medalje të arta në Tokio, duke e çuar në tri numrin e përgjithshëm të medaljeve në historinë e vet në Lojëra Olimpike, pas të medaljes së parë olimpike, të artë po ashtu, të Majlinda Kelmendit në debutimin e Kosovës në Olimpiadë në Rio 2016.

Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 48 kilogramë, e cila ishte e para për Kosovën në Tokio dhe e para për të në karrierë. Nora Gjakova e përsëriti suksesin e saj duke e fituar medaljen e artë në kategorinë 57 kilogramë.

Kosova i dërgoi 11 atletë në Lojërat Olimpike në Tokio, prej të cilëve gjashtë ishin me normë olimpike. Duke e parë numrin e atletëve pjesëmarrës, rezultati i Kosovës vlerësohet të jetë fantastik. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Të ngjajshme