Tri profesoresha dhe dy profesorë, përbërja e re e Këshillit Drejtues të UP-së

1 Korrik, 2025 - 12:00 pm

Është bërë e ditur nga Universiteti i Perishtinës se kanë përzgjedhë përbërjen e re të Këshillit Drejtues të UP-së, dhe kjo përbërje e re është nga tri profesoresha dhe dy profesorë, shkruan KultPlus.  

Anëtarët e UP-së në Këshillin Drejtues janë:  prof. Mimoza Ibrani, prof. Teuta Jashari-Kajtazi, prof. Arian Krasniqi, prof. Vjosa Fejza-Ademi dhe prof. Kurtesh Sherifi.

Më poshtë sjellim të plotë njoftimin e UP-së. 

Në mbledhjen e Senatit është zgjedhur pesëshja e Këshillit Drejtues që do ta përfaqësojë Universitetin e Prishtinës në këtë organ shumë të rëndësishëm ekzekutiv e rregullues. Tri nga pesë të zgjedhurit janë gra. 

Anëtarët e UP-së në këtë këshill do të jenë prof. Mimoza Ibrani, prof. Teuta Jashari-Kajtazi, prof. Arian Krasniqi, prof. Vjosa Fejza-Ademi dhe prof. Kurtesh Sherifi. 

Në zgjedhje u votua për 16 kandidatë që sipas Komisionit zgjedhor të përbërë nga prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Kreshnike Dedushi-Hoti dhe dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve, prof. Florian Miftari, i plotësonin kushtet për të qenë pjesë e Këshillit Drejtues. 

Në raundin e parë të zgjedhjeve, anëtare e Këshillit Drejtues u bë profesoresha Mimoza Ibrani, pasi mori më shumë se gjysmën e votave nga senatorët, gjithsejt 23, ndërsa raundi i dytë i votimit u zhvillua me 12 kandidatët më të votuar nga raundi i parë. 

Katër anëtarët tjerë të Këshillit Drejtues nga personeli akademik i Universitetit të Prishtinës, u zgjodhën në raundin e tretë të votimeve, pasi në të dytin, asnjëri prej tyre nuk mori votat e mjaftueshme. Këtë herë votimi u bë për tetë më të votuarit nga raundi i dytë. Mandati i pesë të zgjedhurve do të zgjasë deri më 14 shtator 2028. 

Thirrja për aplikim në këto pesë pozita ishte shpallur më 2 qershor, kurse ankesat eventuale për proceset e përzgjedhjes dhe votimit do të shqyrtohen mes 1 e 2 korrikut 2025. 

Këshilli Drejtues, përveç pesë anëtarëve nga personeli akademik i UP-së, i ka edhe katër anëtarë që emërohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Inovacionit. / KultPlus.com

Të ngjajshme