Tri projekte për transformimin e Pogradecit

18 Gusht, 2022 - 4:20 pm

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli si dhe Aleksandër Sarapuli nga AADF, kanë diskutuar hapat teknike dhe kalendarin e zbatimit të punimeve për projektin që do të transformojë zonën Drilon-Tushemisht.

Bëhet fjalë për një investim që kap vlerën e 15,5 milionë dollarëve, të cilat do të sjellin një transformim të qëndrueshëm, duke e kthyer qytetin e Pogradecit në një destinacion turistik shumë më të preferuar për vizitorë vendas e të huaj.

Për këtë zonë janë miratuar në total 3 projekte. Parku i Drilonit me vlerë 5,5 milionë dollarë është i financuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, ku është parashikuar të realizohet rehabilitimi i gjithë parkut deri tek burimet e Zagorçanit (Gurasit), rehabilitimi i fasadave të objekteve të Tushemishtit, si dhe tre parkime publike e një qendër vizitorësh.

Po ashtu, me mbështetjen e qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është miratuar fondi me vlerë 4 milionë dollarë dhe aktualisht është në proces prokurimi, për zbatimin e projektit të “Shëtitores së Tushemisht nga ura e Drilonit deri në pikën doganore të Tushemishtit”.

Ndërkohë që, projekti i “Unazës së Tushemishtit” që fillon nga ura Drilonit dhe kalon nga burimet e Zagorçanit për të përfunduar në pikën doganore, është financuar gjithashtu me një vlerë 6 milionë dollarë nga qeveria shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe pritet që të fillojë nga zbatimi brenda vjeshtës.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, është shprehur se projektidea i ishte paraqitur drejtorit te AADF dhe bordit të këtij fondacioni, që në vitin 2016, së bashku më ministren e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni. “Ky projekt mori aso kohe miratimin e Bordit për t’u financuar dhe është një lajm i shkëlqyer që sot projekti është në fazën e zbatimit”, shtoi prefekti Jole. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme