“Tuneli i fundit”, instalacioni që solli historitë e grave që ranë pre e dhunës dhe përfunduan tragjikisht

1 Dhjetor, 2022 - 12:05 pm

Flonja Haxhaj

Histori të grave, nga qytete të ndryshme të Kosovës, jetët e të cilave përfunduan tragjikisht nga një forcë që u drejtuan nga bashkëshortët, të dashurit e ish-bashkëshortët e tyre, u paraqitën në edicionin e sivjetmë të aktivitetit ‘Tuneli i fundit’, përcjell KultPlus.

Instalacioni që zuri vend në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë është shfaqur në kuadër të shënimit të 16 Ditëve të Aktivizmit. ‘Tuneli i fundit’, organizuar nga SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, përkujton viktimat e femicidit në periudhën e pas luftës në Kosovë.

Kalimtarët që do të kalojnë nëpër shesh do të kenë mundësi që të lexojnë historitë e këtyre grave, që janë viktima të femicidit, për të parë një përshkrim të dhunës që gratë në Kosovë përjetojnë përgjatë vitit, vit pas viti.

Kadri Gashi nga SIT, tha për KultPlus se edicioni i katërt i ‘Tuneli i fundit’, është një instalacion i cili për qëllim ka storiet e grave që kanë rënë pre e dhunës në familje dhe si qëllim kryesor i këtij aktiviteti është femicidi që kryesisht vjen për shkak të gjinisë vetëm pse janë gra dhe vajza dhe janë gra që kanë rënë pre e dhunës në familje dhe në baza gjinore.

“Përmes këtij instalacioni jemi munduar që të ndërgjegjësojmë institucionet e shoqërinë kosovare se dhuna është kryesisht vetëm pse janë gra dhe fatkeqësisht këtu kemi disa prej storieve që janë prej vitit 2018 e deri më tash dhe janë ngjarje që kanë rënë vetëm për shkak të neglizhencës së institucioneve dhe këto viktima janë viktima të anëtarëve të afërm të familjes, partnerë”, u shpreh Gashi.

Ndërkaq, instalacioni ‘Tuneli i fundit’, do të jetë sot prezent nga ora 9:00 deri në 19:00 në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë për të vazhduar nesër në Prizren dhe të shtunën në Pejë.

“Arsye pse e kemi bërë në tri qytete është edhe për shkak të rasteve të fundit që kanë rënë tri viktima në këto tri qytete, pa i përfshi edhe dy rastet e fundit që kanë ndodhur gjatë javës së kaluar dhe të kësaj jave”, tha më tutje Gashi për KultPlus.

Ju kujtojmë që 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore është fushatë ndërkombëtare vjetore që fillon më 25 nëntor në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe zgjat deri më 10 Dhjetor, në Ditën e të Drejtave të Njeriut./KultPlus.com

Të ngjajshme