Tuneli i Llogorasë, gati në qershor të 2024-ës

3 Maj, 2023 - 4:00 pm

Tuneli i Llogorasë, 5.9 km i gjatë, një ndër veprat më të rëndësishme inxhinierike në vend, do të përfundojë në qershor të vitit 2024.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot gjatë një interviste në media se kanë përfunduar në muajin shkurt punimet për gërmimin e tunelit, ndërsa tani po vijon puna për armaturën e tij.

“Punimet për gërmimin e tunelit kanë përfunduar në muajin shkurt. Kemi kaluar çdo lloj pritshmërie, pasi kontrata parashikonte 18 muaj për procesin e gërmimit, ndërsa ne e kryem për 14 muaj. Aktualisht po punohet në pjesën e armatimit. Tuneli do të hapet në qershor të vitit 2024”, u shpreh Balluku.

Ky tunel ka një ndikim të madh për zhvillim ekonomik të jugut të Shqipërisë dhe lidhjen infrastrukturore që do të bëhet me aeroportin e Vlorës.

Puna për ndërtimin e tunelit të Llogorasë me gjatësi 5.9 kilometra ka nisur më 14 nëntor të vitit 2021.

Tuneli i Llogorasë nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit, deri në urën e Palasës. Me një shpejtësi 50-80 km/orë, rruga do të përshkohet për 7-10 minuta./KultPlus.com

Të ngjajshme