Turistë të shumtë në Sinagogën e Sarandës, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore

16 Qershor, 2025 - 2:41 pm

Bazilika Sinagogë e Sarandës është një nga monumentet më të rëndësishme arkeologjike të zbuluara në qytetin e Sarandës, në jug të vendit.

Si e tillë ajo është kthyer në një pikë tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ndau sot fotografi nga turistët e shumtë që vizitojnë këtë Sinagogë antike që gjendet në zemër të Sarandës.

“Një vend që çdo vizitor duhet ta shohë nga afër! Turistët po e zbulojnë çdo ditë këtë monument unik të trashëgimisë kulturore – mozaikë mahnitës, histori mijëravjeçare dhe një atmosferë e veçantë! Mos e humbisni, ejani dhe bëhuni pjesë e këtij udhëtimi në kohë”, ishte apeli i DRTK Vlorë për çdo turist që zgjedh të vizitojë Sarandën.

Bazilika Sinagogë e Sarandës është një ndërtesë antike që daton nga periudha e vonë romake dhe është një nga sinagogat më të mëdha të zbuluara në rajon. Sinagoga është zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike të kryera në vitet e fundit dhe është e njohur për strukturën e saj të madhe dhe mozaikët e mrekullueshëm që janë gjetur në të.

Mendohet se hebrenjtë mbërritën në Shqipëri në katër periudha të ndryshme, që nga shekulli II. Ata madje krijuan një qytet të quajtur Jeriko e më vonë u quajt Orikum.

Sinagoga e Sarandës mendohet se është ndërtuar nga pasardhësit e hebrenjve që u vendosën në bregdetin jugor të Shqipërisë rreth vitit 70 pas Krishtit. Megjithatë, në shekullin VI, sinagoga u zëvendësua nga një kishë.

Gjatë shekujve XI-XII, Orikumi, i quajtur atëherë Jeriko, ishte pjesë e një krahine bizantine që përfshinte gjithashtu Kaninën dhe Vlorën. Kjo provincë, e njohur si provincia Jericho et Caninon, përmendet në dekretin perandorak dhënë Venedikut në 1198 nga Alexios III Angelos.

Sinagoga është një nga objektet më të vizituara nga turistë vendas e të huaj, që shkojnë në Sarandë, duke qenë se është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të rajonit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme