Turistët në Himarë: Kalaja të ofron panoramë mahnitëse

6 Gusht, 2025 - 11:40 am

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë publikoi në rrjetet sociale intervista të turistëve të shumtë të cilët kanë zgjedhur të vizitojnë këtë zonë të Shqipërisë. Ata shprehen të mahnitur nga panorama që ofron Kalaja e Himarës.

Një vajzë e lindur në Nju Jork por me origjinë shqiptare, tha se kishte ardhur me bashkëshortin dhe miqtë e saj për të parë Kalanë e Himarës.

“Sapo vizituam Kalanë e Himarës. Është absolutisht e bukur. Dhe pamja panoramike e Himarës, mahnitëse. Na pëlqeu shumë. Pothuaj humbëm atje, duke parë kishat dhe shtigjet e lezetshme me lule. Na pëlqeu shumë”.

Një tjetër çift vizitorësh të huaj u shpreh se kalaja është e bukur dhe pamjet gjithashtu shumë të bukura dhe se ua rekomandonin dhe të tjerëve ta vizitonin.

“Ky vend është shumë interesant, i bukur dhe i lashtë”, thotë një tjetër turiste ndërsa shëtit në Himarën e vjetër.

Kalaja e Himarës është një thesar i trashëgimisë kulturore. Në majën e kodrës, mbi të cilën ajo ngrihet, takohet deti me historinë dhe shpirtin e banorëve të kësaj zone.

“Kur ec përreth kalasë, kur ec mes ledheve mund të admirosh peizazhin”, thotë një turiste nga Franca.

Panorama është mahnitëse dhe vizitorët që mbërrijnë deri aty, për ta shijuar, janë të shumtë. Kalaja e Himarës i pret çdo ditë me dyert hapur dhe shpirtin e saj të lashtë. Vizitorët, vendas e të huaj, enden rrugicave me gurë, duke zbuluar kisha e shtëpi të vjetra të cilat dikur gjallonin. Kalaja e Himarës është ndërtuar nga kaonët e lashtë. Ajo ishte një fortesë e fuqishme nëpër shekuj, që ka parë pushtime romake, bizantine dhe osmane, por gjithmonë ka qëndruar kryelartë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme