Turistët zbulojnë Gjirokastrën përmes muzeve, rritet me 30% numri i vizitorëve

28 Qershor, 2025 - 4:50 pm

Muzetë në qytetin e Gjirokastrës janë shndërruar në qendra të rëndësishme për zhvillimin e turizmit dhe tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Trashëgimisë Kulturore, vizitueshmëria e muzeve që funksionojnë në qytetin e gurtë është rritur me 30%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Muzeu Kadare mbetet një ndër stacionet më të preferuara të guidës turistike në Gjirokastër, duke tërhequr të apasionuar pas veprës letrare të korifeut të letrave shqipe.

“Çdo vizitor që vjen në Gjirokastër ka si destinacion kryesor të vizitojë Muzeun Kadare, sepse ka mundësinë që të njihet me zhvillimin kulturor, ekonomik dhe historik të qytetit. Pavarësisht jehonës që shkrimtari i madh Ismail Kadare ka bërë nëpërmjet veprave të tij, njohja e realitetit është diçka më e prekshme. Shohim që numri i vizitorëve dhe interesi i tyre për të vizituar muzetë tona është në rritje – këtë e tregojnë edhe statistikat, krahasuar me vitin e kaluar, ku kemi një rritje të interesit me 30%,” – thotë Befjola Braho, koordinatore e Muzeut “Kadare”.

Muzeu i Luftës së Ftohtë, i vendosur në mjediset e një vendstrehimi të periudhës së komunizmit, vizitohet me shumë kuriozitet nga turistët e huaj që mbërrijnë këto ditë vere në Gjirokastër.

Tuneli prej betoni, reliket e Luftës së Ftohtë dhe mjediset origjinale ngjallin interes për këtë periudhë historike.

“Tuneli i Luftës së Ftohtë është një nga vendet më të vizituara për momentin në Gjirokastër. Kemi turistë pothuajse nga të gjitha vendet e botës – nga Europa, kryesisht Spanjë, Francë, Gjermani – por edhe nga vende të tjera. Kemi një rritje të nivelit të turistëve, duke e krahasuar me vitin e kaluar, që ka qenë një ndër vitet më të suksesshme të turizmit në Gjirokastër,” – thotë Albana Matushi, koordinatore e Muzeut të Luftës së Ftohtë.

Në shërbim të turistëve në Gjirokastër funksionojnë gjithashtu Muzeu i Armëve dhe Muzeu Etnografik, të cilët në këtë periudhë kanë regjistruar një numër të konsiderueshëm vizitorësh.

Turizmi është tashmë sektori kryesor për ekonominë lokale në qytetin e gurtë.

Të ngjajshme