18 Gusht, 2025 - 3:42 pm
Turizmi në vendin tonë ka shënuar një rritje të ndjeshme në muajin qershor 2025, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, duke reflektuar një sezon të suksesshëm edhe për strukturat akomoduese në vend.
Hotelet raportuan për këtë periudhë rritje të fluksit të turistëve dhe netëqendrimeve të tyre, ku kryesojnë vizitorët nga Kosova me 19% dhe Italia me 13%.
Sipas raportit të INSTAT mbi strukturat akomoduese për muajin qershor, numri i përgjithshëm i vizitorëve shënoi rritje me 37,2% krahasuar me qershorin e kaluar. Nga të cilët numri i vizitorëve jo-rezidentë (të huajt) shënuan rritje me 37,4% dhe i vizitorëve rezidentë (shqiptarë) u rritën me 36,7%.
Netqëndrimet e vizitorëve në strukturat akomoduese një tjetër tregues i rëndësishëm për aktivitetin turistik, u rritën me 38,2% në total. Ku numri i vizitorëve jo-rezidentët u rrit me 38,3% dhe i rezidentëve me 38,0%.
INSTAT bën të ditur se, zonat bregdetare kanë patur rritjen më të madhe të vizitorëve të huaj, me një rritje prej 42,4%, ndërsa hotelet dhe akomodimet e ngjashme shënuan rritje me 35%.
Në totalin e vizitorëve të huaj sipas vendeve të origjinës: Kosova kryeson me 19% të të gjithë vizitorëve të huaj; Italia me 13%; Polonia me 10%; Gjermania me 8%; Franca me 6% dhe 44% e vizitorëve vijnë nga vende të tjera të botës.
Sipas INSTAT, norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 39,5%, krahasuar me 35,9% në të njëjtën periudhë të vitit 2024, një tregues i qartë i përmirësimit të performancës në sektorin e turizmit dhe mikpritjes.
Këto të dhëna konfirmojnë trendin në rritje të turizmit hyrës në Shqipëri, veçanërisht nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës, duke e pozicionuar vendin si një destinacion gjithnjë e më të preferuar për pushuesit./atsh/KultPlus.com