U hap ”Arkivi Rilindja”, Nazmi Rrahmani: Nuk ka popull që ka vepruar në mënyrë më barbare për një trashëgimi të veten

3 Dhjetor, 2019 - 12:12 pm

Xhemile Hysenaj

Rilindja ka qenë gazeta e parë në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi, gazetë kjo që në kohët më të rënda për kulturën dhe politikën e Kosovës, ka kryer funksione të mëdha në këto dy drejtime, shkruan KultPlus.

Mbrëmë, në hapësirën e Kino Armata, është bërë hapja e Arkivit Rilindja, e cila ka për qëllim mbledhjen dhe ruajtjen e asaj çfarë ka mbetur nga Gazeta Rilindja, nën iniciativën dhe realizimin e Ervina Halilit.

Mbrëmja filloi me dokumentarin, ku protagonistë ishin shkrimtari Nazmi Rrahmani, drejtor i redaksisë së botimeve në Rilindje (1941) dhe shkrimtari Musa Ramadani, redaktor i kulturës në Rilindje (1943). Këta të dy shpalosnin përvojat e kujtimet e tyre në Rilindje dhe nëpër veprat e tyre letrare të cilat i kanë krijuar dhe botuar gjatë asaj periudhe.

Flisnin me një nostalgji të pashoqe për një kohë që edhe pse e vështirë për popullin, konsiderohej një kohë e artë, kultura po zhvillohej me të madhe, librat përktheheshin e botoheshin dhe gazetat e Rilindjes përpos në Kosovë shpërndaheshin edhe në Maqedoni e Mal të Zi.

Pas dokumentarit, i cili u përcjellë me shumë duartrokitje dhe brohoritje, u vazhdua me panelin e diskutimit, ku të pranishëm ishin Ervina Halili, Nazmi Rrahmani, Sibel Halimi dhe Sokol Çunga.

Për të shpallur të hapur diskutimin, fjalën e mori Sibel Halimi, e cila deklaroi se periudha e Rilindjes kishte qenë si një mision politik, në grumbullimin e shkrimtarëve, ku këta të fundit kanë pasur një mision për të ruajtur dhe krijuar letërsinë tonë.

”Hapja e arkivave të rilindjes është një përpjekje e jashtëzakonshme për të na treguar se trashëgimia jonë kulturore nuk ka të bëjë vetëm me një dimension, por ka të bëjë edhe me një trashëgimi kulturore jashtëzakonisht të rëndësishme, siç është letërsia.  Trashëgimia jonë kulturore është i vetmi realitet që ne e njohim dhe që ekziston, realisht letërsia është arkivi i kujtimeve të rrëfyera të një epoke, ndërgjegjja e saj shoqërore nën dritën e ngjarjeve të reja dhe natyrisht është mjaft e vështirë që nga perspektiva e sotme ta rishikojmë historinë”, vazhdoi tutje ajo.

Pas saj, fjalën e mori Nazmi Rrahmani, i cili u shpreh se kur flet për Rilindjen e ka shumë të vështirë pasi ka qenë pjesë e zhvillimit të saj, përfundimi i Rilindjes ishte edhe tragjedia më e madhe që sipas tij e kishte përjetuar.

”Unë e kam shumë të vështirë të flas për Rilindjen sepse mund të jem shumë emocional, jo pse kam kaluar një kohë të gjatë aty por sepse i di rrjedhat e zhvillimit dhe rrjedhat e përfundimit të saj. Nuk e di që ka popull që ka vepruar në mënyrë më barbare për një trashëgimi të veten, një trashëgimi shumë të rëndësishme siç është Rilindja. Sepse Rilindja është një prej pjesëve më të rëndësishme të historisë së Kosovë krahas arsimit që është zhvilluar në Kosovë. Kosova nuk e ka pasur lehtë të krijojë arsim në kohën kur pjesa dërmuese e shoqërisë ka qenë analfabete. Në kohën kur nuk ka pasur lexues e informim tjetër e kur nuk ka pasur zhvillim tjetër kulturor, ka vepruar Rilindja”, potencoi ai, duke vazhduar të theksoi se Rilindja ka ecur krahas të gjitha zhvillimeve tjera, është zhvilluar në përmasa shumë të shpejta dhe shumë të mëdha. Sa për ilustrim, ai tregoi se në kohën e mbylljes, Rilindja ka pasur mbi 2000 punëtorë, ka pasur mbi 800 pika të shitjes në Kosovë, Maqedoni e Mal të zi, ka pasur një gazetë të përditshme që ka arritur te ketë tirazhin 100.000 copë në ditë, ka pasur një shtëpi botuese që botonte çdo dy ditë një libër. Vetëm fjalori i gjuhës shqipe i botuar në Prishtinë ka pasur tirazhin 20.000 copë, ndërsa shtypshkronja ka qenë ndër më modernet në Jugosllavi, kapacitete e shtypshkronjës kanë qenë të jashtëzakonshme, vetëm për në Poloni shtypshkronja bënte punë diku rreth 5 milion dollarë. Prandaj gjithë kjo e ka bërë një pjesë të rëndësishme të historisë të zhvillimit kulturor të Kosovës.

Ervina Halili, e cila ishte edhe në krye të realizimit të këtij Arkivi, u shpreh shumë falënderuese ndaj të gjithë atyre që kishin kontribuar në realizimin e këtij projekti, e posaçërisht ish punëtorët e Rilindjes. Duke e quajtur kështu ”Arkivin Rilindja”, jo si arkiv të Rilindjes por vetëm si Arkivi Rilindja, një projekt tek i cili rikonstruktohet trashëgimia kulturore, atë që Rilindja ka mundur ta ruaj.

”Është titulluar “Arkivi Rilindja” për të krijuar një sensibilitet më të madh mbi të, mirëpo, arkivi nuk përqendrohet vetëm në veprimtarinë e Rilindjes por përqendrohet në gjithë periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, prej vitit 1945 e deri në vitin 1999. ”

Ervina poashtu tregoi një ngjarje të dhimbshme dhe shqetësuese që kishte ndodhur me arkivin e Rilindjes.

”Kam një ngjarje shumë të bukur nga Frrok Kristaj, ai ka qenë shumë entuziast kur ka mbërritur Nëna Tereza në Kosovë pas marrjes së çmimit Nobel, ku punëtorët e Rilindjes kanë realizuar një intervistë me të dhe se ata e kishin dërguar atë intervistë në arkivin e Rilindjes dhe më tha se do ta gjeja në Arkivin Qëndror të Kosovës, ndërsa Arkivi Qëndror i Kosovës thotë se nuk e posedon Arkivin e Rilindjes dhe se Arkivi i Rilindjes është nën administrimin e Agjensionit Kosovar të Privatizimit.”

”Ne nuk mund të rikuperojmë Arkivin e Rilindjes sepse është një çështje administrative institucionale por ajo çka mund të bëjmë si aktivistë të shoqërisë civile, si shkrimtarë e si hulumtues, është se ne mund të ndajmë hulumtimet e koleksionet tona, t’i mbledhim e t’i rikonstruktojmë atë që ka humbur nga Rilindja, si dorëshkrimet, videot, audiot etj. U titullua Arkivi Rilindja për të krijuar një sensibilitet më të madh mbi Arkivin e Rilindjes, mirëpo, arkivi nuk përqendrohet vetëm në veprimtarinë e Rilindjes por përqendrohet në gjithë periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, prej vitit 1945 e deri në vitin 1999”, tha Kristaj duke treguar tutje se Rilindja ka qenë një sistem, duke e marrë parasysh që ka qenë një gazetë që ka filluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore por që i ka pasur nivelet e saj kulturore dhe politike dhe prandaj është shumë mirë që ne si shoqëri të vetëdijesohemi që në këto situata kur kemi shtresime që mund të konsumojnë një tjetrën, në mënyrë që të ruhen ato para se ato të zhduken komplet.

“I pranishëm në panel ishte edhe Sokol Çunga, i cili deklaroi se arkiva të institucioneve homologe apo të tjerave institucione që lidhen me kulturën në Shqipëri, si Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, apo të tjera shtëpi botuese, nuk na kanë lënë sot arkiva, pasi arkivat e tyre u shkatërruan pas ndryshimeve politike të viteve ’90 në Shqipëri.

Ky projekt u realizua në kuadër të platformës të #HeritageSpace që implementohet nga CHwB Kosova. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore” i zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë dhe financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Paqe dhe Stabilitet (IcSP) dhe Qeverise Suedeze. / KultPlus.com

Të ngjajshme