U hap edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë

18 Gusht, 2025 - 4:31 pm

Në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës, më 18 gusht 2025, u hap solemnisht edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, një nga ngjarjet më të rëndësishme akademike në fushën e albanologjisë. Ky seminar, që do të zhvillojë punimet deri më 29 gusht në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë, pritet të mbledhë rreth 200 studiues vendorë dhe ndërkombëtarë nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera të botës.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë personalitete të larta të jetës akademike e politike në Kosovë, përfshirë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Kurti theksoi rëndësinë themelore të gjuhës shqipe për identitetin kombëtar shqiptar, duke e quajtur atë një “organizm i gjallë që ruan kujtesën dhe subjektivitetin njerëzor”.

Duke folur për traditën e gjatë të seminarit, Kurti tha se në kalendarin e jetës kulturore të Kosovës, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën është ngjarja më jetëgjatë, jo rastësisht.

Kurti theksoi se entuziazmi për gjuhën, artin dhe kulturën shqiptare duhet të rritet, duke shprehur përkushtimin e tij për të mbështetur të gjitha institucionet që kanë në mision ruajtjen dhe promovimin e tyre.

“Gjuha nuk është vetëm komunikim i nevojave, por mbi të gjitha komunikim i subjektivitetit, i kujtesës dhe imagjinatës dhe i kulturës, pra është komunikim qenësor. Në kushtet e zhvillimit të shpejt të Inteligjencës Artificiale gjuha është themeli më solid i ruajtjes së inteligjencës dhe imagjinatës njerëzore e natyrore…Sido që të jetë pasuria jonë shoqërore dhe shtetërore entuziazmi ynë për gjuhën shqipe në kulturën, artin dhe shkencat tona duhet vetëm të rritet e si kryeministër shpreh gatitshmërinë time të mbështetjes së institucioneve që janë drejtpërdrejtë të lidhura me këtë qëllim fisnik e detyrë historike”, theksoi Kurti.

Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, potencoi rëndësinë e seminarit si platformë për shkëmbim të dijes dhe për afirmimin e trashëgimisë shqiptare.

“Është gjuha ajo çka na bashkon. Në vitet e ’90-ta e dimë që gjuha shqipe në Kosovë ishte e ndaluar. Ne si universitet jemi krenarë që jemi nikoqirë të kësaj ngjarjeje të rëndësishme. 200 studiues pritet të marrin pjesë në këtë seminar. Kur e shohim seminarin, e shohim se ka pasur prurje të reja shkencore”, tha ai.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, uroi fillim të mbarë për këtë edicion të seminarit, duke theksuar se Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është ngjarja kulturore më jetëgjatë në të gjitha trojet shqiptare.

“Ngjarja kryesore dhe kulturore me jetëgjatësinë më të madhe jo vetëm në Kosovë, por në mbarë hapësirën shqiptare. Ka këtu akoma dëshmitarë siç jam unë dhe të tjerë si unë të atij fillimi të lartë të vitit 1974 kur Qendra e Studimeve për të huaj e mori emrin e seminarit, emër që e ka edhe sot…ne jemi të vetëdijshëm që edhe në punë të organizimit të seminarit, të mësimdhënies, dhe ligjërimit do të jetë e nevojshme të bëhen ndryshime strukturore siç do të jetë e nevojshme që dijet albanologjike përfshirë studimet gjuhësore dhe letrare të braktisin pozitivizmin dhe të zhvillojnë mendimin kritik, por në anën tjetër kam besim se edhe kësaj radhe si çdo herë tjetër deri tani do të merrni me vete përshtypjet më të mira për mikpritjen dhe miqësinë“, shtoi ai.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, tha se ky seminar nuk është vetëm një aktivitet akademik, por një platformë e rëndësishme ku mësohet gjuha shqipe, e cila konsiderohet si një nga gjuhët më të vjetra në Evropë.

“Një traditë e vyer akademike e cila prej viti 1974 e ka shndërruar Prishtinën në një qendër ndërkombëtare për ekspertizën dhe bashkëpunimin shkencor në fushën e albanologjisë. Historia e këtij seminari është në vetvete një rrëfim mbi qëndrueshëmërinë e dijes përballë sfidave. Në vitet e izolimit të Shqipërisë ky seminar në Prishtinë ishte dritarja nga e cila studiues të huaj mund të njiheshin nga afër me gjuhën dhe kulturën tonë“, u shpreh ambasadori Malaj.

Në përmbyllje të punimeve të seminarit, më 29 gusht, do të mbahet një sesion shkencor me temat bosht: zhvillime aktuale lidhur me leksikun e shqipes, shqipja në rrjetet sociale dhe postmodernizmi në letërsinë shqipe.

Programi i Seminarit përfshin gjithashtu kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe në tri nivele, ligjërata të specializuara për gjuhësinë dhe letërsinë, referime shkencore nga studiues vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe një program kulturor për pjesëmarrësit – që përfshin vizita në vende historike dhe aktivitete kulturore që lidhen me trashëgiminë shqiptare.

Ceremonia e hapjes së Seminarit të 43-të u mbyll me dy pika muzikore në piano nga profesoresha e Fakultetit të Arteve, dega e Artit Muzikor, Lule Elezi, dhe punimet i shpalli të hapura drejtoresha e Seminarit të 43-të, prof. Lindita Sejdiu./KultPlus.com

Të ngjajshme