U mbajt dita e dytë e “Pen For Culture”, pjesëmarrësit e vlerësojnë si eksperiencë të jashtëzakonshme

9 Nëntor, 2019 - 9:05 pm


Qendrim Badalli
Fotografitë: Nok Selmani


Projekti i ProPlus-it, “Pen For Culture” në fushën e pikturës ka vazhduar mbarëvajtjen edhe sot në Prevallë, me grupin e zgjedhur të të rinjve dhe të drejtuar nga profesoresha universitare, Zake Prelvukaj, shkruan KultPlus.com

Njëjtë si edhe dje, grupi i të rinjve ka treguar një interesim shumë të madh për ta shprehur kreativitetin e tyre dhe për t’i zhvilluar edhe më shumë aftësitë e tyre profesionale. Ata janë njohur edhe më shumë mes vete dhe krahas punës artistike që po bëjnë po mbizotëron edhe një atmosferë shumë e mirë miqësore dhe bashkëpunues.

Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, duke komentuar mbarëvajtjen e këtij projekti ka thanë se ky trajnim është një mundësi shumë e mirë për këta të rinjë.

“Mendoj që për këta pjesëmarrës që janë në këtë punëtori të organizuar nga ProPlusi dhe me trajnerën Zake Prelvukaj, është një mundësi shumë e mirë që do të thotë se pavarësisht se nesër çfarë drejtimi do të marrin, përmes kësaj punëtorie janë duke e marrë një eksperiencë shumë të madhe”.

Tutje, Pajaziti ka vlerësuar dhe falënderuar Ambasadën e ShBA-së për mbështetjen financiare të këtij projekti.

“Ne jemi shumë falënderues ndaj Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, për mbështetjen e projektit tonë “Pen For Culture”. Mendoj që ideja e projektit, tema si është trajtuar dhe ajo se çfarë ne kemi ofruar në projekt ka qenë shumë e rëndësishme për ta siguruar mbështetjen e tyre”.

Diella Valla, njëra nga pjesëmarrëset në këtë punëtori e ka vlerësuar lartë organizimin e këtij aktiviteti.

“Mendoj se ky organizim është një nga organizimet më të mira që kam mundur unë të shoh. Në këtë punëtori secili prej neve ka mundur që ta shpreh kreativitetin përmes artit, në këtë rast në fushën e pikturës. Kam shumë dëshirë që të ketë edhe më shumë organizime të tilla. Unë kam qenë edhe në organizime të tjera, megjithatë ky është një prej më të mirëve sepse çdo gjë është në nivelin e vet”.

Tutje, ajo ka zgjedhur fjalë të mira edhe për profesoreshën Zake Prelvukaj.

“Cilido prej nesh, çfarëdo teme që e ka marrë e ka zhvilluar me profesionalizëm duke e marrë parasysh se me ne e kemi pasur profesoreshën Zake Prelvukaj, që na ka dhënë shumë udhëzime gjatë gjithë kohës”.

Azra Boshnjaku, një tjetër pjesëmarrëse në këtë punëtori, ka shprehur emocionet e saj për përzgjedhjen dhe qëndrimin këtu.

“Meqë arti dhe piktura janë pjesë e rëndësishme e jetës sime, kisha vendosur që të aplikojë për këtë organizim. Pranimi im në këtë punëtori është një nga lajme më të mira që kam marrë deri tani. Unë jam shumë e gëzuar që jam këtu”.

Teksa e ka mbyllur prononcimin me një frymë optimiste për të ardhmen.

“Kjo ka qenë hera e parë që jam pjesë e një organizimi të tillë dhe shpresoj të mos jetë hera e fundit. Jam motivuar shumë që të pikturojë, jam duke kaluar kohë të mrekullueshme”.

Aulona Zullufi, ka qenë një pjesëmarrëse tjetër që ka folur për këtë projekt teksa edhe ajo ka vlerësuar profesoreshën Zake Prelvukaj për punën e saj me ta.

“Deri më tash ky projekt më ka lënë përshtypje shumë të mira, sepse më ka ndihmuar shumë që me ndihmën e profesoreshës Zake Prelvukaj ta zhvillojë imagjinatën dhe profesionalitetin tim, ajo po na motivon shumë gjatë gjithë kohës”.

Zullufi, njëjtë si pjesëmarrësit tjerë në këtë punëtori shpreson të jetë prapë pjesë e aktiviteteve të ngjashme.

“Kjo është hera e parë që po marrë pjesë në një trajnim të tillë për të cilin jam shumë e kënaqur, kisha dashur që edhe në të ardhmen të jem pjesë e projekteve tjera të ndryshme”. / KultPlus.com

Ky projekt është financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të ngjajshme